Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri portugez premton hetim të plotë mbi tragjedinë hekurudhore me 16 viktima në Lisbonë


Një aksident i rëndë në Lisbonë ka shkaktuar të paktën 16 viktima dhe 21 të plagosur, pasi një nga vagonët e funikularit të njohur Glória doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë mbrëmjen e së mërkurës, pak pas orës 18:00, përcjell Guardian.

Kryeministri i Portugalisë, Luís Montenegro, e cilësoi ngjarjen si “një nga tragjeditë më të mëdha në historinë tonë të afërt”, duke premtuar një hetim të shpejtë dhe të plotë për zbardhjen e shkaqeve.

Prokuroria dhe kompania komunale e transportit publik Carris, e cila administron shërbimin, kanë nisur hetimet. Për momentin, të gjitha funikularët e tjerë në Lisbonë janë pezulluar për kontrolle sigurie.

Sipas autoriteteve, të gjithë personat që humbën jetën ishin të rritur. Mes të plagosurve ka qytetarë portugezë dhe të huaj nga Gjermania, Spanja, Kanadaja, Kepi i Gjelbër, Franca, Italia, Maroku, Koreja e Jugut dhe Zvicra.

Një nga viktimat është edhe një punonjës i Carris, operator frenash, i identifikuar si André Marques. Pesë nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa një prej tyre humbi jetën në spital gjatë natës, duke e çuar bilancin në 16 të vdekur.

Pamjet e publikuara tregojnë vagonin e përmbysur në një rrugicë të ngushtë të qytetit. Dëshmitarët thanë se tramvaji zbriti kodrën “i pakontrolluar”, duke u përplasur me një godinë në një kthesë të rrugës.

“U përplas me një forcë brutale dhe u shpërbë si një kuti kartoni,” rrëfeu një dëshmitare për televizionin SIC.

Një tjetër dëshmitar, për CNN Portugal, tha se pas përplasjes shpërtheu paniku dhe njerëzit u përpoqën të ndihmonin viktimat e mbetura nën hekurin e tramvajit.

Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, shpalli një ditë zie kombëtare dhe kërkoi zbardhje sa më të shpejtë të shkaqeve. Kryebashkiaku i Lisbonës, Carlos Moedas, u shpreh se “qyteti ka nevojë për përgjigje dhe drejtësi për viktimat”.

Nga jashtë vendit, Pedro Sánchez, kryeministri i Spanjës, dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, shprehën solidaritet me familjet e viktimave. Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përcolli ngushëllimet e saj.

Funikulari Glória, një nga atraksionet më të njohura të Lisbonës, transporton çdo vit rreth 3 milionë pasagjerë. Ai operon me dy vagona të lidhur me një kabllo çeliku, që lëvizin në të kundërtën e njëri-tjetrit në një kodër të pjerrët në qendër të qytetit.