
Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të Operatorit Kombëtar për Prodhimin e Ujit, njoftoi se qeveria do të nisë së shpejti zbatimin e planit për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet.
Ai theksoi se këto depozita, të vendosura kryesisht mbi godina të vjetra, përbëjnë rrezik potencial për sigurinë e banorëve.
“Kjo është dhe koha për të nisur me planin e heqjes së depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme mbi pallate të ndërtuara ku e ku më parë dhe që largqoftë mund të bëhen dhe burim katastrofash.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se faza e dytë e reformës së ujit do të shoqërohet me një plan të posaçëm masash për ndalimin e abuzimeve, kryesisht ato të bëra për përfitime, si lavazhe apo lidhje të paligjshme.
Ai theksoi se objektivi është që qytetarët që paguajnë rregullisht dhe nuk abuzojnë të marrin shërbim të drejtë.
“Uji në qiell është diçka tjetër dhe në rubinet diçka tjetër. Në momentin kur futet në sistem, kthehet nga prodhimi i natyrës, në prodhim i njeriut.
Është mall që grumbullohet, që shpërndahet, që shitet dhe blihet, është mall jetik dhe prodhimi i ujit kërkon operim Kombëtar.
Kështu që për këtë arsye nisim këtë fazë të dytë të reformës, ndërkohë që po u them një gjë, nga faza e parë janë lidhur në rrejt 100 mijë përdorues të rinj.
Dhe janë prerë një numër i konsiderueshëm lidhjesh të paligjshme, por sa i përket reformës jemi të qartë se çfarë do të bëjmë. Nga prodhimi, tek shpërndarja, furnizimi, njësoj siç bëjmë me energjinë, por njësoj sic kemi bërë me energjinë, do të ndërhyjmë me një plan masash, për të ndaluar abuzimet.
Ndryshe nga energjia, këtu nuk jemi në kushtet, që kemi qytetarët që abuzojnë, këtu jemi në kushtet që kemi abuzues për qëllime fitime, abuzues me lavazhe nëpër lagje, me ujë që derdhet rrugëve kombëtare në pika të ndryshme, kemi abuzues me lidhje të paligjshme nëntokë, që do të jenë target i planit të masave, në mënyrë që shumica e qytetarëve që nuk abuzojnë dhe që paguajnë, të marrin shërbim të drejtë”, tha Rama.
Rama theksoi se sektori i ujit ka ende shumë “pika të kuqe” që duhet të përmirësohen për të arritur standardet e Bashkimit Europian deri në 2030. Ai shtoi se kjo kërkon reforma, masa konkrete dhe përgjegjshmëri në administrim, dhe se vendi ka njerëz të aftë për ta bërë të mundur këtë.
“Kemi shumë pika të kuqe për t’i kthyer në jeshile sa i përket investimit dhe përfshirjes të çdo sektori në botën e re të teknologjisë, edhe tek uji.
Në fund fare dua të them që hyrja në BE kërkon që ne të arrijmë në 2030 një krahasueshmëri të arsyeshme në furnizimin me ujë të popullsisë sa i përket standarteve të BE.
Është e mundshme por kërkon reforma, masa dhe përgjegjshmëri në administrim. Siç tregoi rasti i Vlorës, ne kemi burime njerëzore cilësore dhe njerëz të ditur, të zotë e të aftë këtu në qendër që natyrisht së bashku me njerëz të ditur e të aftë në pika të ndryshme të territoreve.
Drejtori aktual vjen nga eksperienca e të qenit drejtor në një territor në veri, do të jenë në gjendje të krijojnë bërthamën e qëndrueshme dhe të shëndetshme të Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit dhe më pas shpërndarjes e furnizimit”, tha Rama.