Vendosni fjalën kyçe....

India “sfidon” kundërshtarët në garën për prodhimin e çipave


India do nxisë ndryshime të mëdha duke formësuar të ardhmen e industrisë së mikroçipave, tha të martën kryeministri Modi. Nju Delhi do të fillojë prodhimin komercial të gjysmëpërçuesve deri në fund të vitit 2025, duke shënuar një çast të rëndësishëm në shtytjen e vendit drejt vetëmbështetjes teknologjike, shtoi ai.

Duke folur në hapjen e konferencës Semicon India 2025, Modi tha: “Nuk është larg dita kur çipi më i vogël i Indisë do nxisë ndryshimin më të madh në botë., shkruan RT.

Ai shtoi: “Shekulli ynë i kaluar u formësua nga nafta…Por fuqia e shekullit të 21-të është e kufizuar në një çip të vogël. Ky çip ka fuqinë për të përshpejtuar zhvillimin e botës.”

Nju Delhi ka dhënë dritën jeshile dhjetë uzina çipash dhe katër njësi të tjera pritet të fillojnë prodhimin brenda 12 muajve të ardhshëm.

Gjatë ceremonisë, ministri i IT-së Ashwini Vaishnaw i dhuroi Modit çipin e parë të Indisë, Vikram-32-bit, të zhvilluar në vend, të krijuar nga Laboratori Gjysmëpërçues i agjencisë kombëtare hapësinore (ISRO) për aplikime të ndryshme hapësinore. Mikroprocesori u përfshi zyrtarisht në programin e ISRO-s në mars, së bashku me një çip tjetër të quajtur Kalpana 3201.

Sipas vlerësimeve të industrisë, tregu i gjysmëpërçuesve në Indi u vlerësua në rreth 45-50 miliardë dollarë në vitet 2024-25, nga 38 miliardë dollarë në vitin 2023. Qeveria ka vendosur objektiva ambicioze për të arritur 100-110 miliardë dollarë deri në vitin 2030. “Udhëtimi ynë në këtë sektor filloi vonë, por asgjë nuk mund të na ndalë tani”, tha Modi.