Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Mal të Zi 31-vjeçari i kërkuar për kultivim kanabisi në Lezhë


Një 31-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kultivim të bimëve narkotike në Lezhë, është arrestuar në Mal të Zi me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Ai akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë operacionit “Vakumi” në prill 2025, ka kultivuar 1640 bimë narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshte, ku u sekuestruan gjithashtu 34 kilogramë kanabis të përgatitur për shitje.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Finalizohet faza e radhës e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit intensiv me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kapet në Malin e Zi dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një shtetas i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike, në Lezhë.

Falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij me Policinë e Malit të Zi, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi në Malin e Zi, me qëllim ekstradimi në Shqipëri, i shtetasit shqiptar:

M. D., 31 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 23.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakumi”, i zhvilluar në muajin prill 2025, dyshohet se shtetasi M. D., ka bashkëpunuar me 1 shtetas të arrestuar gjatë këtij operacioni, për kultivimin e 1640 bimëve narkotikëve, në fshatrat Gocaj dhe Rraboshte, Lezhë. Gjatë operacionit “Vakumi” janë sekuestruar rreth 34 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e paketuar për shitje.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasit M. D., në Shqipëri.