Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria izraelite gati për sulm ndaj qytetit më të madh në Gaza


Për më shumë se një vit, kryeministri izraelit Netanyahu ka premtuar se fitorja në Gaza ishte e afërt. Jo për herë të parë, ai tani thotë se nevojitet një shtysë tjetër, këtë herë në atë që ai pretendon se është “fortesa e fundit e vërtetë” e Hamasit, qyteti i Gazës.

“Ne do shkojmë deri në fund”, tha kryeministri izraelit muajin e kaluar, duke argumentuar se një sulm ndaj kryeqytetit të enklavës dhe qytetit më të madh, shtëpia e rreth 1 milion njerëzve, do e shkatërronte më në fund Hamasin si forcë ushtarake dhe qeverisëse.

“Në momentin që shembni qendrën e gravitetit…atëherë Hamasi do shembet.”

Vendimi për të përshkallëzuar luftën ka tërhequr valë dënimesh nga e gjithë bota dhe familjet e pengjeve izraelite në Gaza, madje duke provokuar një përçarje publike midis Netanyahut dhe ushtrisë, me shefin e shtabitEyal Zamir, që e kundërshtoi planin.

Por me pritshmëritë që po veniten se Netanyahu do ndryshojë kurs, IDF-ja po mobilizohet megjithatë për një sulm në shkallë të plotë në javët e ardhshme, një fushatë që kritikët izraelitë thonë se mund të jetë një nga më shkatërrueset të luftës 22-mujore deri më tani.

Pavarësisht shqetësimeve të brendshme, IDF ka filluar mobilizimin e 60,000 rezervistëve për të siguruar fronte të tjera dhe për të mbështetur sulmin, që do zhvillohet kryesisht nga ushtria e rekrutëve, sipas një zyrtari ushtarak izraelit.

Numri i përgjithshëm i rezervistëve të thirrur pritet të arrijë dyfishin e kësaj shifre deri në fund të vitit, tha zyrtari.

Forcat izraelite brenda Rripit kanë përshkallëzuar gjithashtu sulmet ajrore dhe të artilerisë dhe kanë filluar të marrin pozicione në periferi të qytetit të Gazës, në lagje të tilla si Zeitoun dhe Sabra, ndërsa u kanë dhënë udhëzime banorëve të largohen për në Gazën jugore.

Disa zyrtarë dhe analistë izraelitë sugjerojnë se grumbullimi i trupave është një mënyrë për të ushtruar presion mbi Hamasin në mënyrë që të bjerë dakord me kërkesat maksimaliste të Netanyahut për t’i dhënë fund luftës. Këto përfshijnë dorëzimin e grupit, çarmatimin dhe lirimin e të gjithë 48 pengjeve të mbetura, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Kryeministri veteran e ka ashpërsuar qëndrimin e tij në javët e fundit, duke hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi fillestar të pjesshëm – për të cilin Hamasi ra dakord muajin e kaluar – në favor të një “marrëveshjeje të plotë” sipas kushteve të Izraelit.

Me skepticizmin në rritje se grupi militant palestinez do bjerë dakord me këtë, një pushtim në shkallë të plotë po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.

Sapo të jepet urdhri, Harel dhe analistë të tjerë ushtarakë nuk presin që marrja e kontrollit të qytetit të Gazës të jetë shumë sfiduese për këmbësorinë dhe forcat e blinduara izraelite, megjithëse operacioni pritet të ecë ngadalë – me fuqi zjarri intensive – për të minimizuar viktimat e IDF-së.

Aviad vlerëson se ushtria izraelite mund të përballet me “disa mijëra” militantë nga Hamasi dhe fraksione të tjera të armatosura që angazhohen në taktika sulmi dhe ikjeje duke përdorur zjarr snajperësh, granata dhe pajisje shpërthyese të improvizuara.

Edhe pse IDF pohon se shumica e formacioneve të organizuara luftarake të Hamasit janë çmontuar, Aviad argumentoi se grupi po tregonte ende aftësi për të zëvendësuar kuadrot e tij dhe për të ushtruar komandë dhe kontroll. Fushata, tha ai, “nuk do jetë një piknik”.

Abu Obeida, zëdhënësi i krahut ushtarak të Hamasit, paralajmëroi të premten – një ditë para se të vritej në një sulm izraelit në Qytetin e Gazës – se sulmi i afërt do rrezikonte drejtpërdrejt jetën e pengjeve. Ai shtoi se luftëtarët e grupit ishin “në gjendje gatishmërie të plotë dhe morali të lartë… me ndihmën e Zotit, ata do t’u japin pushtuesve mësime të ashpra”.

Nuk do ishte hera e parë që IDF do hynte në qytetin e Gazës. Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, Izraeli nisi një pushtim masiv tokësor në Rrip, i cili fillimisht kishte në shënjestër kryeqytetin.

Forcat izraelite morën pjesën më të madhe të qytetit, duke shembur sheshin qendror të Palestinës, duke hedhur në erë ndërtesën e parlamentit dhe duke nisur të paktën dy operacione në spitalin al-Shifa.

Sipas një vlerësimi të kohëve të fundit nga studiuesit në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, rreth 80 përqind e shtëpive në kryeqytetin 4,000-vjeçar të Gazës janë dëmtuar.

Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka kërcënuar të shkojë më tej, duke shkruar në platformën e mediave sociale X se “portat e ferrit” do hapen nëse Hamasi nuk i plotëson kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës.

“Nëse ata nuk bien dakord – Gaza, kryeqyteti i Hamasit, do bëhet Rafah dhe Beit Hanoun”, shkroi ai, duke iu referuar qyteteve që janë rrafshuar nga Izraeli dhe janë shndërruar në djerrina të mbushura me rrënoja.

Në dallim nga fazat e mëparshme të luftës – dhe të ngjashme me operacionet e tjera të nisura në muajt e fundit – nga IDF-ja pritet jo vetëm të marrë qytetin e Gazës, por “të qëndrojë aty dhe të mbajë pozicionin”, tha një ish-zyrtar i lartë izraelit i njohur me mënyrën e të menduarit të qeverisë.

Për kritikët, plani është një katastrofë humanitare në zhvillim e sipër. Shumë nga rreth 1 milion banorët në qytet janë zhvendosur disa herë nga pjesë të tjera të Rripit, dhe një panel i OKB-së muajin e kaluar deklaroi se zona ishte futur zyrtarisht në zi buke.

Zëdhënësi i IDF-së në gjuhën arabe tha javën e kaluar se “evakuimi i Qytetit të Gazës është i pashmangshëm”, duke pretenduar se kishte ndihmë dhe hapësirë “të bollshme” në dispozicion në jugun e ngushtë dhe të shkatërruar.

Zyrtarët izraelitë, diplomatët perëndimorë dhe personeli ndërkombëtar humanitar e kundërshtojnë fuqimisht këtë, me mbi 80 përqind të territorit të Gazës që tashmë është përfshirë në zona të militarizuara izraelite ose i nënshtrohet urdhrave të zhvendosjes me forcë.

“Qindra mijëra civilë – tashmë të rraskapitur dhe të traumatizuar – do detyroheshin të iknin përsëri, duke i zhytur familjet në një rrezik edhe më të thellë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, javën e kaluar.

“Kjo duhet të ndalet.”

Një letër e përbashkët e lëshuar nga kishat ortodokse greke dhe latine në qytetin e Gazës tha se evakuimet e detyruara drejt jugut, për ata që kërkojnë strehim në kompleksin e tyre, do të ishin një “dënim me vdekje”.

Për shumë palestinezë, qëllimi përfundimtar i Izraelit në qytetin e Gazës ka pak të bëjë me Hamasin apo strategjinë ushtarake, por është më tepër pjesë e një plani më të madh të promovuar nga aleatët e ekstremit të djathtë të Netanyahut: të detyrojë banorët e Gazës të shkojnë në jug përpara se të “emigrojnë vullnetarisht” nga Rripi – një veprim që grupet e të drejtave të njeriut e kanë quajtur të barabartë me spastrimin etnik.

Sipas Harel, inteligjenca e IDF vlerëson se rreth 30 përqind e banorëve ndoshta nuk do evakuohen, qoftë për shkak të frikës, dëshpërimit apo mungesës së parave për t’u zhvendosur përsëri.

Kjo do linte qindra mijëra civilë në shënjestër izraelite dhe subjekt të një rrethimi të mundshëm.

Me kritikat globale ndaj Izraelit që tashmë po përshkallëzohen, ofensiva e afërt pothuajse me siguri do dëmtojë më tej statusin ndërkombëtar të vendit. Megjithatë, deri më tani, Netanyahu duket se ka ruajtur mbështetjen e personit, mbështetja e të cilit ka më shumë rëndësi: Donald Trump.

Presidenti amerikan deri tani e ka mbështetur publikisht planin, duke shkruar muajin e kaluar se pengjet do ktheheshin vetëm “kur Hamasi të shkatërrohet”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT