
Një tërmet me magnitudë 6.0 ballë të shkallës Rihter goditi Afganistanin lindor pranë kufirit me Pakistanin të dielën vonë.
Të paktën 250 persona kanë vdekur në provincën Kunar, tha të hënën agjencia shtetërore e lajmeve Bakhtar, e drejtuar nga talebanët, ndërsa raportoi një numër shumë më të lartë viktimash sesa ishte raportuar fillimisht.
Rreth 500 persona thuhet se janë plagosur, shtoi agjencia.
Çfarë dimë për tërmetin në Afganistan?
Epiqendra e tërmetit ishte pranë Jalalabadit në provincën Nangarhar, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS). Jalalabadi është rreth 119 kilometra larg kryeqytetit, Kabulit.
Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 8 kilometrash (6 milje) dhe e goditi rajonin në orën 23:47 sipas orës lokale (21:17 CET), sipas USGS.
Një tërmet i dytë me magnitudë 4.5 pasoi afërsisht 20 minuta më vonë në të njëjtën provincë. Ky tërmet u pasua më vonë nga një tërmet me magnitudë 5.2.
Zëdhënësi i talebanëve thotë se përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar
“Zyrtarët lokalë dhe banorët janë aktualisht të angazhuar në përpjekjet e shpëtimit”, shkroi zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, në X, duke shtuar se pati vdekje dhe dëme strukturore dhe financiare në disa nga provincat lindore.
Ai tha se ekipet e mbështetjes nga Kabuli dhe provincat përreth ishin në rrugën e tyre drejt vendeve të dëmtuara nga tërmeti i fuqishëm.
Në tetor të vitit 2023, më shumë se 2,000 njerëz u vranë pasi një tërmet me magnitudë 6.3 ballë tronditi vendin.
Tërmeti i vitit 2023 konsiderohet katastrofa natyrore më vdekjeprurëse që ka goditur vendin në kujtesën e kohëve të fundit./DW