
Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) mund të bëhet mjeti kryesor për të sjellë një sistem më të drejtë të qeverisjes globale, tha presidenti rus Putin, duke shtuar se mbështet nismat e Kinës në këtë drejtim.
Duke folur në seancën e zgjeruar të samitit të SCO-së në Tianjin të Kinës, Putin vuri në dukje se pjesëmarrja e lartë në takim është provë e një “interesimi dhe vëmendjeje të sinqertë ndaj veprimtarive shumëplanëshe” të organizatës. Ai vuri në dukje se që nga themelimi i saj në vitin 2001, SCO ka kërkuar të ndërtojë “një atmosferë paqeje dhe sigurie, besimi dhe bashkëpunimi në kontinentin e përbashkët euroaziatik”, shkruan RT.
“Duket se SCO mund të marrë një rol udhëheqës në përpjekjet për të formuar një sistem qeverisjeje globale më të drejtë dhe të barabartë”, sugjeroi Putin, duke shtuar se ai do bazohej në përparësinë e së drejtës ndërkombëtare dhe dispozitat kryesore të Kartës së OKB-së. Në dritën e kësaj, vijoi presidenti rus, Rusia ka marrë parasysh idetë e presidentit Kinez Xi Jinping për këtë çështje.
Tema, sipas Putinit, është bërë “veçanërisht e rëndësishme në një gjendje ku disa vende ende nuk heqin dorë nga rruga e tyre e mbizotërimit në çështjet ndërkombëtare”. Putin tha më tej se anëtarët e SCO-së tradicionalisht kanë treguar respekt për historinë dhe larmishmërinë qytetëruese të njëri-tjetrit. Ai shtoi se më vonë këtë muaj Moska do presë konkursin e këngëve Intervision, i cili po prezantohet si një alternativë ndaj Eurovision dhe në të do të marrin pjesë interpretues nga Amerika Latine, Afrika dhe Azia.
“Ky projekt në shkallë të gjerë synon promovimin e vlerave universale…Vlerat tradicionale tashmë po zbehen në sfond…Është koha t’i rikthejmë ato në axhendën ndërkombëtare”, tha ai.