Vendosni fjalën kyçe....

Marta Kos: Nëse Rama vazhdon me reformat, Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së në 2029


Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vlerësuar punën e Kryeministrit Edi Rama, duke theksuar përparimin e dukshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit.

Gjatë fjalës së saj në Forumin e Bledit në Slloveni, Kos tha se “në 10 muajt e fundit kemi hapur më shumë grupkapituj se sa në 5 vitet e fundit dhe kemi mbyllur më shumë kapituj se sa 10 vitet e fundit”.

Ajo shtoi se “kështu që kemi çelur dy grupkapituj të tjerë për Shqipërinë këtë vit, kemi rënë dakord me Edin që do të festojmë, së pari në Bruksel dhe vitin tjetër me ndeshjen e futbollit midis vendeve kandidate dhe shteteve anëtare në Tiranë, kuptohet që Presidenti i UEFA-s do të luajë me ne, e po kështu edhe ca të tjerë”.

Marta Kos gjithashtu vlerësoi përparimin e bashkëpunimit me Malin e Zi, duke deklaruar se “është e mundur në qoftë se përfundojmë në 2026 në aspektin teknik të bisedimeve, në 2028 mund të kemi 28 anëtarë të BE-së. Dhe në qoftë se Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, atëherë në 2029 mund të kemi 29 anëtarë”.

 “Kështu që shpejtoni!”, – u shpreh Kos, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe ritmit të lartë në procesin e integrimit europian.