
Valter Zhupani, djali i 82-vjeçarit Bato Zhupani që humbi jetën nga zjarret në Skënderbegas, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri Tv, akuzoi institucionet për braktisje dhe papërgjegjshmëri të plotë, duke thënë se trupi i të atit mbeti për më shumë se 9 orë mes flakëve, derisa u tërhoq nga vetë familjarët.
“Babain tim e kanë lënë mes flakëve shteti shqiptar. Nuk më intereson nëse ishte fajtor apo jo, por nuk ta lë shteti kufomën në zjarr. Nëse babi im ishte fajtor, burgun do e bëj unë!” – u shpreh ai.
Zhupani tha se askush nga institucionet nuk reagoi për shpëtimin e jetës, madje as për tërheqjen e trupit të pajetë. “I kam lutur të mos e lënë të bëhej hi. Nga ora 12 e ditës deri në 9 të darkës, kufoma e babait tim qëndroi mes flakëve, derisa falë Zotit dhe jo shtetit, vëllezërit e mi e tërhoqën me duart e tyre.”
Zhupani tha gjithashtu se në vend që shteti të angazhohej për shpëtimin e jetëve, familjarët e tij u morën në pyetje nën presion. “Shteti shqiptar mbajti në polici një fëmijë 13-vjeçar dhe nënën time 75-vjeçare, duke i akuzuar se zjarrin e kishte vënë babai im” – deklaroi ai.
“E falënderoj Zotin që të paktën nuk ma bënë hi. E futa në varr kufomë, jo hi”, përfundoi me dhimbje Zhupani.
Deklarata ekskluzive për ‘Kafe Shqeto’:
“Babai im, mirë se ndërroi jetë ashtu siç e ndërroi, por babain tim e kanë lënë mes flakëve shteti shqiptar dhe i bëj thirrje kryeministrit dhe ministrit, brenda mundësive unë dua drejtësinë ta çoj deri në fund dhe nëse babi im është fajtor, burgun do e bëj unë, se mua më vjen zor dhe nuk kam surrat t’i dal zonës time para kur ata e dinë se zjarrin e ka vënë babi im.
Këto fjalë i kanë nxjerrë mediat dhe ato media që kanë qenë atë natë të cilat nuk janë interesuar se ku ishte kufoma apo kush vajti për ta tërhequr kufomën nga flakët.
Dhe unë atë ditë nuk ndodhesha në Shqipëri, por në shtetin grek.
Unë kam bërë disa telefonata që andej, dhe askush nuk më është përgjigjur, përveç një inspektori të zonës që kemi ne në qendrën administrative ‘Skënderbegas’.
Herë pas here i thoja: ka ndodhur çfarë ka ndodhur, vetëm mos ma lini të bëhet hi. Aty duket mjaft qartë edhe nga videoja, aty nuk ka dashur shteti më ndërhyrje për ta marrë si kufomë, por e kanë lënë nga ora 12, dhe e kanë lënë gjer në orën 9 të darkës, kur falë Zotit dhe jo se i kam kushërinj të parë, por i kanë dalë vëllezërit, kanë vajtur ato e kanë tërhequr babain tim.
Shteti shqiptar ka mbajtur një fëmijë të mitur 13 vjeç dhe nënën time 75 vjeçe në institucionet e policisë të Gramshit dhe vetëm i bënin kërcënime që zjarrin e keni vënë ju, kurse për babain tim nuk u interesua shteti shqiptar të cilët kanë helikopter për të tërhequr kufomën.
Vdiq si vdiq babi im, nga asfiksimi apo diçka tjetër, vetëm Zoti lart e di. Kur ata e lanë mes flakëve, nuk u interesua askush: “Ore, çfarë po bëhet me këtë kufomë?”, por falënderoj Zotin që të paktën nuk ma bëri hi. E kam futur në varr tamam kufomë.
Nuk kam as çfarë shtoj, as çfarë heq, asgjë. Më ka ardhur një mesazh nga djali i infermierit të fshatit ku më ka thënë që shtëpitë tuaja janë djegur, por interesohu për personat. Jam munduar të lidhem me ta, por nuk kishte lidhje interneti, ishte gjithçka e shkrumbuar, as drita nuk ishte.
Kur u lidha me mamanë time përmes një kushëriri tim, as aty nuk kishte valë, e flisja me shkëputje”.