Vendosni fjalën kyçe....

Vance akuzon Politico-n për “operacion me ndikim të huaj” ndaj të dërguarit të Trump në Moskë Witkoff


Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance ka akuzuar Politico-n për drejtimin e një “operacioni me ndikim të huaj” kundër të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff, duke e kritikuar raportimin e medias si “keqpërdorim gazetaresk” për mbështetjen në zyrtarë anonimë, ndërsa përjashton deklaratat zyrtare nga figura të larta që e mbrojtën atë.

Shkrimi, i botuar të premten nga korrespondentja e Politico-s Felicia Schwartz me titullin “‘Papërvoja e tij shkëlqen’: Steve Witkoff lufton për të menaxhuar Rusinë si i dërguari i paqes i Trump”, citoi 13 zyrtarë anonimë amerikanë dhe të huaj të cilët pretenduan se Witkoff nuk ka aftësi diplomatike dhe ka shkaktuar ngatërresa në negociatat e vijueshme me Moskën.

“Ky shkrim nga Politico është keqpërdorim gazetaresk. Por është më shumë se kaq: është një operacion i ndikimit të huaj që synon të dëmtojë administratën dhe një nga anëtarët tanë më efektivë”, shkroi Vance në X.

Të vetmit njerëz që Politico i përmendi me emër ishin ata që në fakt mbronin Witkoff. Vance tha se Schwartz nuk i përmendi deklaratën e tij të plotë, si dhe citate nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner dhe diplomati britanik Jonathan Powell.

“Personi që shkroi këto gjëra të pavlera…Ata kanë një axhendë për të hedhur në erë përpjekjet e presidentit për të bërë paqe dhe e panë atë si një mjet të dobishëm për të futur gjëra të pavlera në bisedë”, shtoi Vance.

Powell, ish-kryenegociatori i Mbretërisë së Bashkuar në Irlandën e Veriut, u citua shkurtimisht të thoshte se Witkoff “hapi dyer që askush tjetër nuk mundi”. Megjithatë, në fjalimin e tij të plotë, ai hodhi poshtë “snobizmin në diplomaci” dhe shpjegoi gjatë pse Witkoff është “pikërisht lloji” i negociatorit të pavarur që ka sukses aty ku të tjerët dështojnë.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjithashtu akuzoi Politico-n për zgjedhje të qëllimshme të citimeve për t’iu përshtatur një narrative. Zëvendësshefi i Shtabit James Blair shkoi më tej, duke e quajtur shkrimin “një operacion ndikimi të huaj të drejtuar përmes një mediaje online të kontrolluar nga Gjermania”.

Witkoff ka udhëhequr bisedimet e administratës Trump me Rusinë në kanalet e fshehta dhe ka zhvilluar takime të shumta me Presidentin Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të negociuar një fund të konfliktit në Ukrainë.

Politico gjithashtu pretendoi, duke cituar një tjetër “person të njohur” anonim, se rusët në kontakt me ëitkoff janë “të frustruar” nga “pamundësia e tij për t’ia përcjellë siç duhet mesazhet dhe vijat e kuqe të Putinit Trumpit”.

Megjithatë, zyrtarët rusë kanë folur me ngrohtësi për të, me zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov që më parë tha “ne jemi gjithmonë të lumtur ta shohim z. Witkoff në Moskë” dhe i quajti takimet “të rëndësishme, kuptimplote dhe shumë të dobishme”, shkruan RT.