Vendosni fjalën kyçe....

Trump shqyrton planin e pasluftës për Gazën, zhvendosjen e 2 milionë palestinezëve dhe miliarda dollarë investime


Brenda administratës Trump po qarkullon një plan i pasluftës për gazën, raportoi të dielën gazeta Washington Post. Plani parashikon zhvendosjen e gjithë popullsisë së territorit dhe shndërrimin e enklavës në një qendër ekonomike dhe turistike të administruar nga SHBA-të.

Propozimi prej 38 faqesh, i njohur si “Trusit për Rindërtimin, Përshpejtimin Ekonomik dhe Shndërrimin e Gazës, ose GREAT Trust, është modeluar sipas premtimit të presidentit Trump për të “marrë përsipër” Gazën dhe për ta mbikëqyrur atë për të paktën 10 vjet, duke e shndërruar atë në një qendër të teknologjisë së lartë dhe industriale, si dhe një destinacion turistik luksoz.

Plani parashikon zhvendosjen e përkohshme të më shumë se 2 milionë banorëve të Gazës, qoftë përmes largimeve vullnetare në një vend tjetër ose në zona të sigurta brenda enklavës gjatë rindërtimit. Pronarët e tokës do merrnin “tokena dixhitale” në këmbim të të drejtave të rizhvillimit, të cilat mund të financonin jetë të reja diku tjetër ose të shkëmbeheshin për apartamente në gjashtë deri në tetë “qytete inteligjente” të planifikuara të mundësuara nga inteligjenca artificiale brenda Gazës.

Çdo palestinez që zgjedh të largohet do merrte një grant prej 5,000 dollarësh në para të gatshme, subvencione qiraje për katër vjet dhe një vit ushqim. Plani vlerëson se zhvendosja e secilit banor do t’i kursente fondacionit afërsisht 23,000 dollarë krahasuar me koston e strehimit të përkohshëm dhe shërbimeve bazë për ata që mbeten.

Sipas The Washington Post, GREAT Trust u zhvillua nga disa nga të njëjtët izraelitë që krijuan Fondacionin Humanitar të Gazës, i cili aktualisht shpërndan ushqim në Gaza nën mbikëqyrjen e SHBA-së dhe Izraelit. Planifikimi financiar u krye nga një ekip që më parë ishte pjesë e Boston Consulting Group. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte mbi raportin, dhe BCG tha se puna nuk ishte miratuar zyrtarisht, me dy partnerë të lartë përgjegjës për modelin financiar që u shkarkuan më vonë.

Të mërkurën, Trump mbajti një takim në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mundësitë e pasluftës për Gazën. Pjesëmarrësit përfshinin Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special presidencial Steve Witkoff, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, i cili mbikëqyri shumicën e nismave të administratës në Lindjen e Mesme gjatë mandatit të parë dhe ka interesa private në rajon. Nuk u njoftuan vendime zyrtare politike, megjithëse Witkoff e përshkroi planifikimin e administratës si “shumë gjithëpërfshirës”

Plani thekson se nuk do kërkonte financim nga qeveria amerikane dhe mund të ofronte kthime të konsiderueshme për investitorët privatë. Mega-projektet që po shqyrtohen përfshijnë fabrika të automjeteve elektrike, qendra të të dhënave, vendpushime plazhi dhe apartamente shumëkatëshe. Plani vlerëson një kthim pothuajse katërfish të një investimi prej 100 miliardë dollarësh gjatë 10 viteve me rrjedha të vazhdueshme të të ardhurave.

Propozimet e mëparshme për Gazën e pasluftës përfshinin administrim të përkohshëm nën Kombet e Bashkuara ose Autoritetin Palestinez, dhe plane të mbështetura nga shtetet arabe për qeverisje teknokratike. Izraeli ka hedhur poshtë propozimet që ia kthejnë kontrollin Autoritetit Palestinez me seli në Bregun Perëndimor dhe ka theksuar ruajtjen e kontrollit të sigurisë mbi Gazën.

Plani parashikon rindërtimin e Gazës duke filluar me pastrimin e mbeturinave dhe municioneve të pashpërthyera, rindërtimin e shërbimeve dhe rrjetit elektrik, dhe krijimin e zonave industriale dhe turistike përgjatë kufijve lindorë dhe perëndimorë. “Qytetet e reja inteligjente” do përfshijnë banesa, objekte tregtare dhe industriale, klinika, shkolla, parqe dhe zona të gjelbra.

Ekspertët ligjorë kanë vënë në pikëpyetje nëse ndonjë plan që i pengon palestinezët të kthehen në shtëpitë e tyre ose që nuk arrin të ofrojë ushqim, strehim dhe kujdes mjekësor të përshtatshëm do ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pavarësisht nga stimujt financiarë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani