
Kryebashkiaku i Çikagos, Brandon Johnson, deklaroi të shtunën se forcat policore të qytetit nuk do të bashkëpunojnë me asnjë trupë të Gardës Kombëtare apo agjent federal, nëse presidenti amerikan Donald Trump i dërgon ato në qytet, siç ka paralajmëruar.
I rrethuar nga drejtues të tjerë lokalë, Johnson nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të përgatitur qytetin ndaj një operacioni të mundshëm federal, të ngjashëm me ato që Trump ka ndërmarrë më herët në Los Angeles dhe Uashington.
“Kjo ka të bëjë me faktin që ne të jemi të përgatitur,” tha ai për gazetarët, duke shtuar se urdhri synon të ofrojë “udhëzime të qarta dhe të sakta” për punonjësit e qeverisë së qytetit dhe “të gjithë banorët e Çikagos se si mund të përballemi me këtë tirani”.
Sipas këtij urdhri, policia e Çikagos do të vazhdojë të zbatojë ligjet shtetërore dhe lokale, por nuk do të marrë pjesë në patrullime, arrestime apo operacione të tjera përkrah oficerëve federalë, përfshirë Gardën Kombëtare, përcjell Reuters.
Gjithashtu, oficerëve u kërkohet të mbajnë uniformën zyrtare, të identifikohen, të ndjekin protokollet e kamerave trupore dhe të mos mbajnë maska, për t’u dalluar qartë nga agjentët federalë.
Në urdhër thuhet se: “Vendosja e forcave ushtarake federale në Çikago pa pëlqimin e autoriteteve lokale minon normat demokratike, cenon sovranitetin e qytetit, kërcënon liritë civile dhe rrezikon përshkallëzimin e dhunës në vend të garantimit të paqes.”
Nga Shtëpia e Bardhë reaguan duke e cilësuar lëvizjen e Johnson si një “manovër publicitare”.
Zëdhënësja Abigail Jackson tha: “Nëse këta demokratë do të përqendroheshin në zgjidhjen e problemeve të krimit në qytetet e tyre, në vend që të bënin shfaqje për të kritikuar presidentin, komunitetet e tyre do të ishin shumë më të sigurta.”
Johnson, nga ana tjetër, paralajmëroi se do të përdorë çdo mjet ligjor dhe legjislativ për të kundërshtuar një dislokim të mundshëm.
“Do të përdorim gjykatat nëse do të jetë e nevojshme,” theksoi ai.
Guvernatori i Illinois-it, J.B. Pritzker, gjithashtu demokrat, ka deklaruar më herët se presidenti nuk ka autoritet ligjor për të dërguar trupa në shtet pa një kërkesë zyrtare nga guvernatori.
Ndryshe nga kjo, Trump ka dërguar forca në Uashington, pasi kryeqyteti federal bie nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të qeverisë qendrore.
Presidenti Trump ka mbrojtur planin e tij duke pretenduar se dërgimi i trupave është një masë urgjente për të luftuar krimin, ndonëse autoritetet lokale në Çikago raportojnë rënie të vrasjeve, dhunës me armë dhe grabitjeve.