
Gjermania ka bllokuar propozimin e fundit të Komisionit Evropian për të sanksionuar Izraelin për shkak të luftës në Gaza, tha Ministri i Jashtëm Johann Wadephul.
Izraeli është përballur me reagime gjithnjë e në rritje për shkak të sjelljes së tij në konflikt, i akuzuar se nuk lejon hyrjen e ndihmave në enklavë. Disa shtete perëndimore kanë njoftuar plane për të njohur një shtet palestinez dhe, në disa raste, për të zvogëluar bashkëpunimin ushtarak dhe tregtar me Izraelin, shkruan RT.
Komisioni Evropian javën e kaluar propozoi pezullimin e pjesëmarrjes së Izraelit në programin kërkimor Horizon Europe, duke prerë fondet për startup-et izraelite në teknologjinë e dronëve, sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale. Kjo kishte për qëllim të bënte presion mbi Izraelin për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmës humanitare, sipas një projektrezolute.
Duke folur me gazetarët në margjinat e një takimi të BE-së në Kopenhagen të shtunën, Wadephul tha se Gjermania e hodhi poshtë planin, pasi “nuk ishte e bindur” se kufizimi i aksesit të Izraelit në fondet kërkimore të BE-së do ndikonte në veprimin e tij ushtarak. Në vend të kësaj, ai vuri në dukje se Berlini tashmë ka kufizuar dorëzimin e armëve që mund të përdoren në Gaza, duke sugjeruar që Brukseli duhet të përqendrohet në hapa të ngjashëm.