
Presidenti Trump tha të shtunën se do ndërmarrë veprime vendimtare kur bëhet fjalë për identifikimin e votuesve dhe zgjedhjet në të gjithë Amerikën.
Në një postim në Truth Social, Trump shkroi: “Identifikimi i votuesit duhet të jetë pjesë e çdo vote të vetme. PA PËRJASHTIME! Do nxjerr një urdhër ekzekutiv për këtë qëllim!!! Gjithashtu, nuk do ketë votim me postë, përveç atyre që janë shumë të sëmurë dhe ushtrisë që ndodhet në baza shumë larg. PËRDORNI VETËM FLETË VOTIMI ME LETËR!!! Presidenti DJT.”
Integriteti i zgjedhjeve ka qenë prej kohësh një çështje në axhendën e presidentit. Në dhjetor 2022, ai i tha Breitbart se republikanët duhet të luftojnë kundër demokratëve për votimin me postë dhe mbledhjen e votave, ashtu siç bëjnë demokratët.
Në atë kohë, ai e pranoi se republikanët ishin të detyruar të pranonin sistemin derisa të mund të ktheheshin në pushtet dhe të bënin ndryshime.
“Sistemi, nuk është thjesht i prishur – sistemi është i korruptuar”, tha Trump për Breitbart.
“Është një sistem i korruptuar. Një fletëvotim me postë do jetë gjithmonë i korruptuar. Kur shkon në një qendër votimi dhe ata duan identifikimin tënd dhe gjithçka tjetër, nuk mund të votosh vërtet nëse nuk është një marrëveshje e ligjshme. Nëse ke fletëvotime me postë, askush nuk e ka idenë se nga vijnë ose ku do shkojnë dhe pastaj kalojnë nëpër kaq shumë duar. Franca e kishte, shumë vende e kishin dhe tani e kanë hequr qafe. Por edhe demokratët duhet të duan ta rregullojnë këtë sepse janë zgjedhje të korruptuara. Zgjedhjet tona janë totalisht të korruptuara. Demokratët duhet të duan ta rregullojnë këtë. Ata nuk e bëjnë sepse është në dobi të tyre ashtu siç është tani. Por republikanët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse ta rregullojnë. Do të jetë shumë e vështirë, por republikanët duhet ta rregullojnë.” – tha Trump.
Fox News raportoi të dielën se Trump kohët e fundit u përpoq të detyronte identifikimin e votuesit përmes një urdhri ekzekutiv më të gjerë, por gjyqtarja Colleen Kollar-Kotelly e Gjykatës së Qarkut të SHBA-së për Distriktin e Kolumbias rrëzoi pjesë të tij që lidhen me çështjen.