
Në vijim të aksionit kundër ndërtimeve pa leje, resorti “Saint Michelle Residence” në fshatin Shetaj, Durrës, në pronësi të ish-kreut të IMT Durrës, Ardian Halili, u shemb një ditë më parë me shpërthim të kontrolluar.
Objekti, që përfshinte 11 kabina, një godinë dy katëshe, fushë mini-futbolli dhe pishinë në një sipërfaqe prej 5.600 m², ishte ndërtuar pa leje gjatë kohës kur Halili drejtonte Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Durrës (2018–2021).
Kryeministri Edi Rama, duke ndarë pamjet e shpërthimit, e cilësoi aksionin një fitore të ligjit kundër abuzuesve të territorit. “Dje u vendos rendi ligjor mbi një abuzues që kishte marrë peng territorin, i cili është ndaluar nga Policia e Shtetit e i është dorëzuar drejtësisë,” u shpreh Rama.
Duke iu përgjigjur kritikave për fokusimin e aksionit vetëm në zonën e Thethit, kreu i qeverisë shtoi: “Ca zëra në nisje të kësaj kthese të re thoshin ‘po pse Thethi e jo Jugu, po pse ashtu e jo kështu’, ndërkohë puna për mbrojtjen e vendit nga abuzuesit vazhdon në Veri, Jug dhe Shqipërinë e Mesme.”
Policia e Durrësit konfirmoi se Halili do të hetohet nga SPAK për tre akuza: “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi,” “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim detyre.”