
Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një 36-vjeçar gjatë operacionit të koduar “Reaction”, pas denoncimit për dhunë ndaj bashkëshortes dhe kontrolleve që zbuluan drogë dhe armë në banesën e tij.
I arrestuari, shtetasi M. E., banues në Elbasan, u kap në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas hetimeve dhe informacioneve operative.
“Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e tipit kokainë, dy thika, një përforcues grushti dhe një armë sportive. Të gjitha këto u sekuestruan si prova materiale”, bëri të ditur policia në njoftimin zyrtar.
36-vjeçari akuzohet për dhunë në familje dhe posedim të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe armëve të ftohta.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për vijimin e hetimeve.