
Andrii Parubii, ish-kryetar i Parlamentit të Ukrainës dhe një figurë e njohur e Revolucionit EuroMaidan, u vra me armë zjarri më 30 gusht në qytetin e Lvivit.
Lajmi u konfirmua nga autoritetet ukrainase dhe më pas nga deputetja Iryna Herashchenko, e cila deklaroi për Kyiv Independent se viktima ishte Parubii.
Sipas Policisë Kombëtare, ngjarja ndodhi rreth mesditës në distriktin Frankivskyi të qytetit. Parubii, 54 vjeç, ndërroi jetë në vendngjarje.
Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi menjëherë pas njoftimit të autoriteteve, duke thënë: “Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko dhe Prokurori i Përgjithshëm Ruslan Kravchenko më informuan për rrethanat e para të këtij vrasjeje të tmerrshme në Lviv. Andrii Parubii ka ndërruar jetë.”
Sipas raportimeve të televizionit publik Suspilne, autori i dyshuar ishte i veshur si shpërndarës dhe lëvizte me biçikletë elektrike.
Ai u afrua pranë Parubii-t, qëlloi disa herë dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Hetuesit kanë gjetur shtatë gëzhoja në skenën e krimit.
Në gjithë rajonin e Lvivit është shpallur operacioni “Siren” për kapjen e autorit.
Prokuroria ka konfirmuar se ndaj politikanit janë qëlluar disa plumba dhe ka hapur hetim për vrasje. Guvernatori i Lvivit, Maksym Kozytskyi, tha se kërkimet për autorin janë në vijim.
Parubii, një figurë e rëndësishme politike në Ukrainë, ishte deputet prej shumë vitesh dhe një nga organizatorët e vetëmbrojtjes gjatë Revolucionit EuroMaidan 2013-2014.
Pas rrëzimit të presidentit pro-rus Viktor Yanukovych, ai u emërua sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes gjatë periudhës kur Rusia pushtoi Krimenë dhe nisi luftën në Donbas.
Më pas, ai shërbeu si nënkryetar i parlamentit nga viti 2014 deri në vitin 2016 dhe si kryetar i parlamentit nga viti 2016 deri në vitin 2019. Që nga viti 2019, Parubii ishte pjesë e partisë European Solidarity të ish-presidentit Petro Poroshenko.
Reagimet pas vrasjes ishin të menjëhershme. Deputetja Iryna Herashchenko tha: “Ekipi ynë është i tronditur. Ky është terror. Andrii ishte një nga themeluesit e Ukrainës moderne… parimor, i ndershëm, patriot, inteligjent.”
Edhe kryetari aktual i parlamentit, Ruslan Stefanchuk, shprehu ngushëllimet e tij, duke e cilësuar Parubii si një “mbrojtës konsekuent të shtetësisë ukrainase”.
Ai shtoi: “Në emër të Verkhovna Radës së Ukrainës, shpreh ngushëllimet e mia për familjen dhe miqtë e Andrii-t.”