
Tenderi per rikualifikimin urban te Kodres se Diellit dhe zbatimi ne realitet
2 miliardë lekë ka dhënë Bashkia e Tiranës për fazën e dytë të rikualifikimit urban të “Kodrës së Diellit” në Tiranë, por siç shihet nga pamjet e siguruara nga terreni nga newsbomb.al, projekti është shumë larg realitetit. Rruga duket e lënë në harresë.
Kompania “KACDEDJA” në pronësi të Skënder Kacdedjas ka fituar tenderin për rikualifikimin urban të zonës dhe periudha e zbatimit të projektit ka qenë nëntë muaj, ama kur ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë rruga nuk është ende e kalueshme.
Ajo që shihet është një kantier i hapur dhe i lënë në harresë, në të cilin kalojnë përditë qindra qytetarë, të cilëve u rrezikohet seriozisht jeta edhe përse paguajnë rregullisht taksa.

Zona e “Kodrës së Diellit”, një nga më të lakmuara të Tiranës, prodhon çdo vit taksë infrastrukture nga 3 deri në 6 milionë euro, por vlera e investimit është gati e papërfillshme dhe jo proporcionale. Ajo nuk kap as vlerën vjetore 0.5 milionë euro.
Gjithashtu, një aspekt tjetër problematik me këtë procedurë rikualifikimi urban është dhe gjerësia e rrugës.
Bëhet fjalë për një gjerësi totale prej 5.5 metrash, në të cilën do të shkëmbehen dy makina sepse rruga do të jetë me dy sense, por nuk është menduar aspak për trortuar. Edhe në ato zona ku më parë ka pasur ndonjë copëz trotuari, firma nuk ka marrë mundimin të ndërhyjë.
Duke qenë një ndër zonat më të lakmuara dhe më të preferuara nga familjet dhe çiftet e reja, plani nuk parashikon trotuare për qytetarët dhe nënat me fëmijë, apo dhe ato me karroca. Pra, një ndërhyrje pa plan të mirëfilltë zhvillimi dhe e bërë sa për sy e faqe.
Banorët e zonës denoncojnë se jo vetëm kompania “KACDEDJA” në pronësi të Skënder Kacdedjas, por edhe Bashkia e Tiranës duhet të reagojnë, të angazhohen seriozisht për këtë projekt që do t’u shërbejë mijëra qytetarëve dhe bizneseve të cilët paguajnë çdo vit miliona lekë taksa prone e infrastrukture.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Newsbomb











