
Irani kreu një sulm kibernetik të sofistikuar që synonte spiunimin e negociatave në Egjipt mbi kthimin e pengjeve dhe një armëpushim të mundshëm në Gaza, sipas firmës izraelite të sigurisë kibernetike Dream Security. Sulmi, i identifikuar në gusht 2025, kishte në shënjestër llogarinë e email-it të Ministrisë së Jashtme të Omanit.
Hakerët dërguan mesazhe të maskuara si korrespondencë diplomatike te afërsisht 200 marrës, përfshirë zyrtarë egjiptianë në Kajro dhe Paris, së bashku me ndërmjetës nga Shtetet e Bashkuara dhe Katari.Emailet përmbanin dokumente Word që dukeshin të ishin letra zyrtare nga Omani.
Kur u hapën, skedarët lëshuan kod të dëmshëm që u shndërrua në softuer kibernetik të projektuar për të mbikëqyrur objektivin, për të lexuar korrespondencën dhe për të regjistruar bisedat.
Dream Security e identifikoi fushatën si pjesë të një operacioni më të gjerë iranian të phishing-ut që i atribuohet grupit “Homeland Justice” të lidhur me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit. Ndryshe nga sulmet e mëparshme që synonin të prishnin infrastrukturën ose të vidhnin të dhëna, ky operacion u përqendrua në komunikimet diplomatike dhe mund të kishte ndikuar në procesin e armëpushimit në Gaza.
“Kur një kanal diplomatik autentik bëhet një armë kibernetike, frontet diplomatike dhe kibernetike bashkohen në një fushë beteje të vetme,” tha kompania.
Sistemi i inteligjencës artificiale i Dream Security e hartoi sulmin në tërësi, duke përdorur agjentë autonomë për të skanuar rrjetin e hapur dhe të errët për veprimtari të dëmshme dhe për të kryer analiza mjeko-ligjore që lidhnin domenet, serverat dhe infrastrukturën e sulmit.
Agjentët e inteligjencës artificiale gjurmuan grupin iranian pas sulmit, hartuan fushatën e infeksionit dhe ekspozuan metodat operative, duke mundësuar potencialisht prishjen e aftësive të grupit.
“Operacioni i phishing-ut i Iranit pasqyron një përpjekje më të gjerë rajonale spiunazhi që synon organet diplomatike dhe qeveritare gjatë tensionit të shtuar gjeopolitik”, thanë zyrtarët e Dream Security.
“Besimi diplomatik është bërë një objektiv strategjik. Modelet pasqyrojnë sulmet e mëparshme të lidhura me Iranin, përfshirë një operacion të vitit 2023 në Shqipëri.”
Dream Security u themelua në janar 2023 nga Shalev Hulio, ish-kancelari austriak Sebastian Kurz si kryetar dhe Gil Dolev.Tal Fialkov, zv.president i IA-së dhe Kibernetikës, tha se agjentët e IA-së të kompanisë ofrojnë hartëzim dhe analizë të paparë në kohë reale të sulmeve kibernetike në nivel shtetëror, duke u dhënë vendeve një avantazh mbrojtës kundër kërcënimeve komplekse.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani