Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 18 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga një sulm i madh rus në Kiev


Një sulm i përmasave të mëdha me dronë dhe raketa nga Rusia goditi kryeqytetin e Ukrainës në orët e para të mëngjesit të së enjtes, duke lënë të paktën 18 të vrarë dhe 48 të plagosur, njoftuan autoritetet lokale, përcjell Euronews.

Mes viktimave raportohen edhe katër fëmijë, ndërsa ekipet e emergjencës paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të rritet.

Shefi i administratës së qytetit të Kievit, Tymur Tkachenko, tha se sulmi përfshiu dronë, raketa lundrimi dhe raketa balistike, duke shënjestruar mbi 20 zona të ndryshme të kryeqytetit.

 “Gjithçka është shkatërruar”, u shpreh ai, pasi një godinë pesëkatëshe në distriktin Darnytskyi u godit drejtpërdrejt, duke çuar në shembjen e disa kateve.

Në qendër të qytetit, një rrugë kryesore u mbulua nga copat e xhamave të thyer, ndërsa pothuajse 100 ndërtesa pësuan dëme, përfshirë një qendër tregtare. “Janë thyer mijëra dritare”, tha Tkachenko.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se shpërthimet e para u dëgjuan rreth orës 21:30 të mbrëmjes së së mërkurës, ndërsa mbrojtja ajrore u aktivizua rreth mesnatës.

Ai shtoi se zjarre shpërthyen në një ndërtesë trekatëshe dhe në një godinë 25-katëshe në distriktin Dniprovskyi.

Në distriktin Shevchenkivskyi, ndërkohë, janë dëmtuar një godinë banimi, një zyrë, një institucion arsimor dhe dy ndërtesa të tjera. Ekipet e shpëtimit janë ende në terren, duke kërkuar persona që mund të kenë mbetur nën rrënoja.