Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni në Durrës, policia: U kapën me pistoletë gati për qitje


Policia e Durrësit ka dhënë detaje lidhur me aksionin e ditës së djeshme në Shkozet të Durrësit, ku u vunë në pranga dy persona për armëmbajtje pa leje, Arbi Haxhiun dhe Aldi Mustafën, ky i fundit pjesë e grupit të Rrumit të Shijakut. Në momentin e arrestimit atyre iu gjet një armë zjarri gati për qitje.

39-vjeçari Mustafa ishte i shpallur në kërkim, i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e një qytetari në Durrës më 13 gusht. 

“Po në kuadër të zbatimit të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në vijim të punës së pandërprerë dhe goditjeve të njëpasnjëshme për këtë qëllim, mbrëmjen e djeshme strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun”.

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. M., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.

39-vjeçari A. M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj.

Angazhimi dhe përkushtimi maksimal i strukturave vendore të Policisë së qarkut Durrës, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, si dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka bërë të mundur që sezoni turistik në qarkun Durrës të vijojë pa asnjë problem për sa i përket rendit dhe sigurisë.

Përfitoj nga rasti t’i garantoj qytetarët e qarkut Durrës se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës vijojnë me intensitet veprimet hetimore për zbardhjen e çdo ngjarjeje kriminale të ndodhur më parë, kapjen e personave në kërkim dhe për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.”, tha drejtori i policisë Vilson Bala.

Aldi Mustafa