Vendosni fjalën kyçe....

Guvernatori i Illinoisit sfidon Trump-in për Gardën Kombëtare: Çikago nuk do të pushtohet, veprimi do të ketë përgjigje


Guvernatori demokrat i Illinois, JB Pritzker, reagoi ashpër ndaj kërcënimit të Presidentit Donald Trump për të dërguar Gardën Kombëtare në Çikago, duke e cilësuar këtë lëvizje si një përpjekje për të “frikësuar qytetarët” dhe për të shkelur sovranitetin e shtetit.

“Ndryshe nga Donald Trump, ne mbajmë premtimet,” shkroi Pritzker në platformën X. “Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq nëse ai vendos të dërgojë Gardën Kombëtare për të frikësuar qytetarët e Çikagos. Veprimi do të ketë përgjigje.”

Ai e akuzoi presidentin se po “përdor ushtrinë për të pushtuar një qytet amerikan, për të ndëshkuar kundërshtarët dhe për të mbledhur pikë politike”, duke e quajtur këtë veprim “të paligjshëm dhe antiamerikan”.

Kryebashkiaku i Çikagos, Brandon Johnson, gjithashtu kundërshtoi planin e administratës federale, duke theksuar se shifrat e krimit janë ulur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, përcjell Foxnews.

“Problemi me qasjen e presidentit është se është e pakoordinuar, e panevojshme dhe e gabuar,” tha Johnson. “Dërgimi i paligjshëm i Gardës Kombëtare në Çikago mund të ndezë tensionet mes qytetarëve dhe policisë.”

Por Trump nuk vonoi të reagojë. Në një postim në Truth Social, ai e quajti Pritzker-in “një guvernator të paaftë” dhe Johnson-in “asgjë më të mirë”.

“Një fundjavë vërtet VDEKJEPRURËSE në Çikago,” shkroi Trump. “6 të vdekur, 27 të plagosur në shpërthime krimi në të gjithë qytetin. Guvernatori i trembur Pritzker thotë se krimi është nën kontroll, kur në fakt është krejt e kundërta. Ai është një guvernator i paaftë që duhet të më telefonojë për NDIHMË. Kryebashkiaku Johnson nuk është më mirë. Bëjeni Çikagon sërish të madhe!”

Përplasja mes Pritzker dhe Trump-it vjen ndërsa administrata federale po vlerëson mundësinë për të shtuar praninë e forcave të rendit në Çikago, pas një operacioni të ngjashëm në Washington D.C., ku qindra agjentë federalë dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë dislokuar në rrugë për të frenuar krimin.