Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret në vend, Rama: Do kemi së shpejti flotën e avionëve tanë


Kryeministri Edi Rama deklaroi se nderimi me medalje i 24 ushtarëve, policëve dhe zjarrfikësve që luftuan me flakët gjatë verës është një gjest simbolik që përfaqëson mirënjohjen ndaj gjithë Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se vendi përballet ende me mungesa në mjete dhe teknologji, por ka një “kapital njerëzor që nuk e lë kurrë Shqipërinë në baltë”. Ai e cilësoi sezonin e verës si një “kapitull ferri”, por ku solidariteti dhe përkushtimi i forcave në terren treguan forcën e madhe të shtetit shqiptar.

Kryeministri nënvizoi nevojën për më shumë investime në sisteme inteligjente, parandalim dhe rritje të mbështetjes financiare për zjarrfikësit dhe forcat e emergjencave.

Rama përfundoi me një apel për përfshirjen e të gjithëve në mbrojtjen e pyjeve: “Çdo shkollë dhe institucion duhet të bëhet pjesë e kësaj përpjekjeje kombëtare për edukim, ndërgjegjësim dhe ripërtëritje të pyjeve tona.”

“Sot duke nderuar 24 ushtarë, policië e zjarrfikës me medalje duam të nderojmë Shqipërinë që tregoi se po kemi të meta, ende shumë për të investuar në mjete e sisteme inteligjente.

S’mund të dilnim nga kjo verë ferri për nga temperaturat pa plagë por kemi një kapital njerëzor që nuk e lë kurrë më Shqipërinë në baltë, mirënjohje të veçantë.

Ky kapitull i ndezur jo vetëm nga flakët e pyjeve, por edhe të flakëve sot merr mesazh të vetëm si epilog se dhe përballë flakëve më të egra, Shqipëria tregon forcë të madhe proporcionale.

Sa më e madhe sfida dhe të egra flakët, aq më i madh solidariteti dhe ndjenja e përkushtimit dhe aq më të angazhuar profesionalisht njerëzit me uniformë.

Le ta përmirësojmë me tej punën duke futur më shumë teknologji, duke punuar më shumë për parandalimin dhe për zjarret e ardhshme dhe duke u përgatitur si për një ndeshje të radhës me një përbindësh që do të vijë të bëhet më i egër.

Le të mbështesim më shumë fuqizimin dhe rritjen e këtij kapitali njerëzor, duke bërë gjithçka për të rritur edhe mbështetjen financiare.

Me kënaqësi dhe përulësi i jam përgjigjur pozitivisht të gjitha propozimeve nga ministritë për dekorimet dhe shpërndarë disa medalje si një shenjë simbolike, mirënjohje dhe mesazh për të gjithë këtë trup, e cila meriton nderimin më të posaçëm.”, tha Rama. 

Kryeministri Edi Rama u ndal te përmasat dramatike të zjarreve këtë verë që kanë përfshirë vendet e Mesdheut: “Nga Spanja te Franca, Turqia, Portugalia, Italia e Greqia, i gjithë Mesdheu ishte në flakë si kurrë më parë. Bilanci është tragjik – qindra mijëra hektarë të djegur, pesë herë më shumë se mesatarja e viteve të fundit, vetëm BE-ja ka humbur mbi 1 milion hektarë tokë nga zjarret.”

Duke iu përgjigjur kritikave për mungesën e avionëve zjarrfikës në Shqipëri, Rama theksoi se edhe vendet me kapacitete shumë më të mëdha kanë hasur vështirësi.

Ai sqaroi se avionët nuk janë magjistarë, por ndihmës të fuqishëm në bashkëpunim me forcat në tokë dhe mekanizmin europian të mbrojtjes civile.

Rama paralajmëroi ndërtimin e flotës së avionëve zjarrfikës të Shqipërisë me dy avionë të rinj, duke nënvizuar se bashkërendimi dhe sakrifica në terren janë çelësi për t’u përballur me flakët.

“Edhe vendet me kapacitete shumë më të mëdha kanë hasur vështirësi. Duhet ta mbajnë parasysh një të vërtetë, avionët nuk janë magjistarë, ata janë ndihmës të fuqishëm të cilët nuk na kanë munguar falë mekanizimit europian të mbrojtjes civile, pjesë e së cilës jemi edhe ne, Shqipëria me të drejta të barabarta. Nuk janë asesi të plotfuqishëm, 22 avionë të gjeneratë së fundit nuk e penguan flakët të digjte dhe përcëllonte Izmirin, duke hapur një plagë të dhimbshme mbi tokën e Turqisë mike dhe duke bërë të evakuohen mijëra njerëz, ashtu sikur forca më e madhe ajrore e planetit, nuk mundi ta shmangte shkrumbimin tragjik të një vendbanimi të madh sa Tirana në Los Angelos. Avionët janë një krah i fuqishëm në betejë dhe ne do kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do nisë të ndërtohet me 2 avionë zjarrfikës, por magjia është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë”, .