Vendosni fjalën kyçe....

Yield-et e bonove 12-mujore bien përsëri, në nivelin më të ulët prej qershorit 2022


Yield-i bonove 12-mujore të thesarit pësoi një tjetër rënie të lehtë në ankandin e kësaj jave, duke u afruar më shumë pranë normës bazë të interesit.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar nga zbritur në 2.6%, nga 2.62% që ishte në ankandin e mëparshëm dhe 3.15% që kishte qenë një vit më parë. Yield-i bonove 12-mujore ka prekur një nivel të ri minimal që prej qershorit të vitit 2022.

Tregu i instrumenteve afatshkurtra vazhdon të karakterizohet nga yield-e shumë të ulëta, për shkak të kërkesës së lartë të investitorëve (kryesisht banka) nga njëra anë dhe një tendencë në ulje të huamarrjes së brendshme të qeverisë.

Në ankandin e kësaj jave, shuma totale e kërkuar arriti në gati 8.84 miliardë lekë, kundrejt një shume të shpallur për financim në vlerën e 6.8 miliardë lekëve. Pro rata apo pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese ishte 93.24%.

Tregu në ankandet e fundit ka reflektuar, gjithashtu, uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, në fillim të muajit korrik. Norma bazë e interesit është ulur tashmë në 2.5%, nga 3.25% që kishte qenë deri në korrikun e vitit të kaluar.

Ndërkohë, yield-et e bonove në tregun financiar kanë zbritur afërsisht në nivelet e krizës inflacioniste të vitit 2022. Por, marzhi mbi normën bazë të interesit aktualisht është më i ulët dhe pranë niveleve minimale historike. Në qershor 2022, norma bazë ishte ende në nivelin 1%, ndërsa bonot 12-mujore shënonin një yield prej 2.5%. Ndërkohë, aktualisht norma bazë është në nivelin 2.5%, ndërsa bonot 12-mujore u emetuan me një yield 2.6%.

Ndërkohë, për instrumentet më afatgjata yield-et janë në një fazë korrektimi të lehtë në rritje, pasi patën prekur nivelet më të ulëta historike gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Prej fillimit të vitit 2024, ulja e normave të interesit të Bankës së Shqipërisë dhe kërkesa e lartë e investitorëve në tregun primar të titujve qeveritarë kishte sjellë një tendencë të vazhdueshme rënëse për këto instrumente. Një rol të rëndësishëm luajti edhe kërkesa në rritje nga investitorët jo-rezidentë. Kjo rritje e kërkesës ndikoi edhe në uljen e mëtejshme të yield-eve të bonove dhe obligacioneve për vitin e kaluar. Por, rënia e ndjeshme e yield-eve duket se e ka zbehur disi interesin në segmente të veçanta të investitorëve, duke përfshirë ata jo-rezidentë dhe individët. Ishte e pritshme që rënia e fortë e yield-eve do të pasohej nga një korrektim i tyre në rritje dhe pikërisht një gjë e tillë ka ndodhur duke filluar që prej muajit qershor, sidomos për instrumentet me maturim afatgjatë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për tremujorin e dytë të vitit, pothuajse e gjithë shtesa e huamarrjes u përballua nga bankat, ndërsa portofoli i titujve i zotëruar nga individët dhe jo-rezidentët nuk pati ndryshime./Monitor