Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan zbulon sistemin vendas të mbrojtjes ajrore “Kupola e Çeliktë”


Presidenti turk Erdogan, përuroi zyrtarisht sistemin e integruar të mbrojtjes ajrore të Turqisë, të njohur si “Kupola e Çeliktë”, të cilin ai e përshkroi si një çast vendimtar për vendin dhe industrinë e tij të mbrojtjes.

“Këto sisteme janë një shfaqje force për Turqinë”, tha Erdogan në një takim në objektet e kontraktorit të mbrojtjes Aselsan në Ankara.

“Në mbrojtjen ajrore, ne po hapim një epokë të re për Turqinë tonë të dashur.”

Qeveria e Erdoganit njoftoi në gusht të vitit të kaluar fillimin e zhvillimit të “Kupolës së Çeliktë”, e cila integron platforma dhe sensorë të mbrojtjes ajrore me bazë detare dhe tokësore në një rrjet për të mbrojtur qiellin e Turqisë, shkruan Ynet.

Erdogani tha se faza e fundit e projektit përbëhej nga 47 automjete me vlerë 460 milionë dollarë që do “nxisin besim te miqtë tanë dhe frikë te armiqtë tanë”. Qeveria nuk ka thënë saktësisht se kur sistemi do jetë plotësisht funksional.

“Asnjë vend që nuk mund të zhvillojë sistemin e vet të radarit dhe mbrojtjes ajrore nuk mund ta shohë të ardhmen e tij me besim përballë sfidave aktuale të sigurisë, veçanërisht në rajonin tonë”, tha Erdogan.

Turqia, anëtare e NATO-s, njoftoi për herë të parë planet e saj për të ndërtuar sistemin e saj Kupola e Çeliktë në korrik 2024, duke synuar të krijojë mbrojtje ajrore të ngjashme me ato të ofruara nga sistemi “Kupola e Hekurt” e Izraelit.

Më parë, Turqia kishte kërkuar të forconte mbrojtjen e saj ajrore duke blerë sisteme raketash S-400 nga Rusia në vitin 2019. Megjithatë, ky veprim bëri që vendi të përplasej me SHBA-në mbi blerjen avionëveF-35, duke shkaktuar një pengesë për qëllimet e mbrojtjes së Ankarasë.

Presidenti gjithashtu zbuloi objekte të reja prodhimi në Aselsan që do të hapen në vitin 2026.

“Në 50 vitet e ardhshme, Turqia do të jetë një vend që jo vetëm që plotëson nevojat e veta, por edhe udhëheq botën me teknologjinë e saj”, tha Erdogan, duke shtuar se kompania turke e elektronikës së mbrojtjes Aselsan do dyfishojë kapacitetin e prodhimit me një investim prej 1.5 miliardë dollarësh në bazën e re të teknologjisë.