
Donald Trump ka bërë thirrje që donatori miliarder demokrat George Soros të përballet me akuza për shantazh dhe korrupsion për mbështetjen e supozuar të “protestave të dhunshme” në të gjithë SHBA-në.
Në një postim në platformën e tij të mediave sociale të mërkurën, Trump tha se 95-vjeçari Soros dhe djali i tij “i majtë radikal”, Alex, i cili drejton fondacionin e familjes, “duhet të akuzohen për RICO”, duke iu referuar një statuti që zakonisht përdoret për të luftuar krimin e organizuar.
“Nuk do t’i lejojmë më këta të çmendur ta shkatërrojnë Amerikën, duke mos i dhënë kurrë as edhe një shans për të ‘MARRË FRYMË’ dhe për të qenë e LIRË”, shkroi Trump në Truth Social.
“Soros dhe grupi i tij i psikopatëve i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit tonë!”, shtoi ai.
“Kjo përfshin edhe miqtë e tij të çmendur nga Bregu Perëndimor. Kini kujdes, po ju vëzhgojmë!”
Reagimet e forta erdhën pasi raportet në mediat e djathta pretenduan këtë muaj se Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, të cilat shpërndajnë grante në emër të Sorosit për kauza progresive, po financonin protesta, veçanërisht kundër vendosjes së trupave të administratës Trump në Uashington DC.
Një zëdhënës i OSF-së (Fondacioni për Shoqërinë e Hapur) tha për komentet e Trump: “Këto akuza janë të skandaloze dhe të rreme. Fondacionet e Shoqërisë së Hapur nuk mbështesin ose financojnë protesta të dhunshme. Misioni ynë është të çojmë përpara të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe parimet demokratike në vend dhe në mbarë botën.”
Në muajt e fundit, Trump ka kërcënuar se do ndjekë penalisht sh-rivalen e tij presidenciale Kamala Harris dhe kandidatin demokrat për kryetar bashkie të Nju Jorkut, Zohran Mamdani.
Ai ka urdhëruar një hetim ndaj ish-presidentit Joe Biden dhe ndihmësve të tij, dhe ka sugjeruar një hetim penal ndaj Chris Christie, ish-guvernatorit të Neë Jersey dhe dikur aleatit të tij.
Javën e kaluar, FBI bastisi shtëpinë e John Bolton, një ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i Trump, i cili është shfaqur si një kritik i fortë i politikës së jashtme të presidentit.
Familja Soros, e cila ishte ndër donatorët më të mëdhenj të fushatës Harris, duke shpenzuar më shumë se 85 milionë dollarë në ciklin zgjedhor të vitit 2024. Gjatë gjyqit të tij penal në Neë York vitin e kaluar, Trump vazhdimisht theksoi se prokurori i distriktit Alvin Bragg ishte mbështetur nga Soros.
Kërcënimi i Trump të mërkurën mori mbështetje nga Elon Musk, i cili postoi se ishte “koha e duhur për të ndërmarrë veprime direkt kundër Sorosit”. Musk më parë e fajësoi Sorosin për protestat jashtë koncesionarëve të Teslës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani