Vendosni fjalën kyçe....

Dëme të mëdha nga zjarri në Devoll, digjen 5 hektarë me pisha të zeza


Një sipërfaqe e madhe pishash të zeza janë djegur mbi fshatin Miras në Devoll.

Përhapja e zjarrit u favorizua nga era ndërsa sipërfaqja e djegur llogaritet në mbi 5 hektarë.

Sipas përgjegjësit të sektorit të pyjeve Orgest Cenolli, tha se gjendja është serioze ndërsa pohoi se për zjarrin janë lajmëruar rreth orës 13 e 30. Sipas tij për shuarjen e flakëve është ndërhyrë me mjete rrethanore.

“U lajmëruam rreth orës 13:30. Së bashku me forcat zjarrfikëse dhe drejtorinë e shërbimeve erdhëm të gjithë në ndihmë. Situata duket pak serioze. Jemi angazhuar që të gjithë në shuarjen e zjarrit, jemi në gatishmëri. Gjithashtu kemi patur ndërhyrje dhe nga banorët e zonës të cilët kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Sipërfaqja e deritanishme mund të jetë rreth 5 ha, me pishë të zezë, dushqe të llojit qar. Situata është nën kontroll deri më tani por besoj se do të zgjasë, deri nesër do të jetë zjarri aktiv. Nuk mund të themi që zjarri do të shuhet brenda kësaj nate. Për shkak të terrenit shumë të thyer ne dhe zjarrfikësit e kemi patur shumë të vështirë të ndërhyjmë.

Ndërhyrja është bërë me mjete rrethanore. Jemi munduar me të gjitha mënyrat, me breza, me kundra zjarre por për shkak se bimësia është shumë e dendur dhe sipërfaqja është e mbuluar me bimësi barishtore, është e vështirë edhe fikja dhe hapja e brezave që mund të parandalojnë zjarrin.

Mesa dimë deri tani është vetëm një vatër, origjinën e vatrës ku ka nisur zjarri nuk mund ta përcaktojmë pasi kërkon rreth 30 min të arrijmë në vatër për shkak të terrenit. Ka rrezik pasi fshati më i afërt është Sinica dhe nëse zjarri merr përmasa më të mëdha, edhe mund të rrezikohet por besoj se deri nesër do të shuhet” – tha Cenolli.