Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka thërret diplomatin kryesor amerikan pas dyshimeve për operacione ndikimi në Groenlandë


Danimarka ka thirrur të ngarkuarin me punë të Shteteve të Bashkuara në Kopenhagë, pas një raportimi se shtetas amerikanë kanë kryer operacione të fshehta në Groenlandë, me qëllim nxitjen e shkëputjes së saj nga Danimarka dhe bashkimin me SHBA.

Raportimi u publikua nga transmetuesi publik danez DR, i cili, duke cituar burime të tij, tha se disa amerikanë kanë tentuar të “infiltruan shoqërinë e Groenlandës” për të promovuar një agjendë separatiste, megjithëse nuk është e qartë se për kë punonin këta individë.

Ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen e cilësoi këtë situatë si shqetësuese, duke theksuar se çdo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Mbretërisë së Danimarkës është “e papranueshme”, përcjell BBC.

 “Për këtë arsye kemi thirrur të ngarkuarin me punë të SHBA-së në Kopenhagë”, deklaroi ai.

Inteligjenca daneze (PET) paralajmëroi se Groenlanda është në shënjestër të “fushatave të ndryshme të ndikimit” të huaja, të cilat synojnë të krijojnë përçarje në marrëdhëniet mes Kopenhagës dhe Nuuk-ut.

Sipas PET, këto përpjekje mund të kryhen përmes agjentëve fizikë të ndikimit apo përhapjes së dezinformimit. Shërbimi danez ka rritur praninë dhe bashkëpunimin me autoritetet lokale në Groenlandë për të përballuar këto rreziqe.

Ngjarja pason raportime të ngjashme të publikuara në maj nga Wall Street Journal, ku thuhej se shërbimet amerikane të inteligjencës po përqendronin vëmendjen në Groenlandë, përfshirë edhe interesin për lëvizjet për pavarësi dhe për shfrytëzimin e burimeve minerare.

Tensionet janë rritur kohët e fundit për shkak të komenteve të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili disa herë ka shprehur dëshirën për të aneksuar Groenlandën, madje këtë vit nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance ka kritikuar Kopenhagën për mosinvestime të mjaftueshme në këtë territor autonom.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen, gjatë një vizite në Groenlandë disa muaj më parë, u shpreh hapur ndaj Uashingtonit: “Ju nuk mund të aneksoni një vend tjetër.”

Në raportin e fundit të DR thuhej se një prej amerikanëve të dyshuar ka vizituar kryeqytetin Nuuk për të hartuar një listë me banorë të gatshëm të mbështesin një lëvizje për shkëputjen e Groenlandës, për t’i rekrutuar më pas në favor të interesave amerikane.

Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk kanë një ambasador në Kopenhagë, ndaj Rasmussen thirri Mark Stroh, i cili shërben si diplomati më i lartë amerikan në Danimarkë.