Vendosni fjalën kyçe....

Trump urdhëron shkarkimin e anëtares së Bordit të Rezervës Federale, Lisa Cook


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar largimin e menjëhershëm të guvernatores së Rezervës Federale, Lisa Cook, në një përshkallëzim të ri të konfliktit të tij me bankën qendrore amerikane.

Trump deklaroi se kishte “arsye të mjaftueshme” për të besuar se Cook kishte bërë deklarata të rreme në dokumentet e hipotekave, duke cituar kompetenca kushtetuese që, sipas tij, i japin të drejtën për ta shkarkuar atë.
Është e paimagjinueshme që nuk ishit e vetëdijshme për zotimin e parë kur keni nënshkruar dokumentin e dytë,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke iu referuar dy dokumenteve të firmosura nga Cook për prona të ndryshme në Michigan dhe Georgia, përcjell BBC.

Por Cook e ka kundërshtuar vendimin e presidentit, duke e cilësuar të paligjshëm.
“Presidenti Trump pretendon të më shkarkojë ‘për shkak’, kur në fakt nuk ekziston asnjë arsye ligjore dhe ai nuk ka autoritet ta bëjë këtë,” tha Cook në një deklaratë.

 “Nuk do të jap dorëheqjen. Do të vazhdoj të kryej detyrat e mia për të ndihmuar ekonominë amerikane, ashtu siç kam bërë që nga viti 2022.”

Avokati i saj, Abbe David Lowell, u shpreh ashpër kundër vendimit të Trump:
“Do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm për të penguar këtë akt të paligjshëm,” theksoi ai.

Ky është një rast i paprecedent në historinë e bankës qendrore të SHBA-së, pasi një president nuk ka ndërhyrë më parë për të shkarkuar një anëtar të bordit drejtues.

Vendimi pritet të hapë debate të gjera ligjore dhe politike, veçanërisht mbi pavarësinë e Fed-it nga ndikimet politike.

Ekspertët theksojnë se Shtëpia e Bardhë do të duhet të provojë në gjykatë që kishte arsye të justifikueshme për këtë shkarkim.

“Çështja kryesore për tregjet është nëse Trump do të arrijë të zëvendësojë Cook dhe si do të ndikojë kjo në perceptimin e investueshmërisë së SHBA-së,” tha Julia Lee, drejtuese e mbulimit të klientëve në FTSE Russell.

Cook, e emëruar në vitin 2022 nga ish-presidenti Joe Biden, është gruaja e parë afro-amerikane që shërben në këtë post dhe anëtare e bordit prej shtatë vetash të Fed-it, që merr vendime mbi normat e interesit në SHBA.

Në mbledhjen e fundit të komitetit për normat e interesit, ajo votoi bashkë me kryetarin Jerome Powell dhe shumicën e anëtarëve për të ruajtur normat aktuale.

Tensionet mes Trump-it dhe udhëheqjes së Fed-it janë shtuar muajt e fundit, pasi presidenti ka ushtruar presion për uljen e shpejtë të normave të interesit.

Ai ka sugjeruar publikisht se edhe Powell mund të përballet me të njëjtin fat nëse nuk vepron më agresivisht për të ulur kostot e huave.

Reagimet e tregjeve financiare kanë qenë të menjëhershme: bursat europiane u hapën lehtë në rënie, ndërsa kostot e huamarrjes për qeverinë amerikane u rritën. Fillimisht dollari amerikan u dobësua përballë valutave kryesore, por më pas rifitoi pjesërisht vlerën.

Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë nuk ka konfirmuar ende nëse ka nisur një hetim, ndonëse një aleat i Trump-it, rregullatori i financimit të banesave Bill Pulte, i kishte dërguar një letër Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi duke e cilësuar çështjen si “referim kriminal”.

Cook, në një intervistë të javës së kaluar, tha se kishte mësuar për akuzat nga mediat dhe se ato lidhen me një aplikim kredie që kishte bërë katër vite më parë, përpara se të emërohej në Fed.

“Nuk kam ndërmend të intimidohem dhe të jap dorëheqjen për shkak të disa pyetjeve që lindën nga një postim në rrjete sociale,” theksoi ajo. “Jam duke mbledhur informacionet e sakta për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje legjitime dhe për të paraqitur faktet.”

Rezerva Federale nuk ka komentuar ende publikisht mbi zhvillimin, duke lënë të hapur një betejë të gjatë ligjore mes Shtëpisë së Bardhë dhe anëtares së saj.