
Një sasi lënde shpërthyese është hedhur në portën e një banese në fshatin Gurëz të Kurbinit.
Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale ndërsa dyshohet se lënda plasëse është përgatitur në mënyrë artizanale.
Pranë banesës policia gjeti edhe disa gëzhoja të vjetra të cilat u sekuestruan.
Njoftimi
“Kurbin/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe. Me marrjen e njoftimit se rreth orës 04:20, në portën e jashtme të murit rrethues të shtetases M. D, alias M. B.,në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe, ishte hedhur një sasi e vogël lënde plasëse e dyshuar artizanale, shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me grupin hetimor.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe territorit përreth, rezultoi se porta e murit rrethues të banesës ishte dëmtuar lehtë nga shpërthimi i lëndës plasëse, e dyshuar artizanale. Në vijim të veprimeve, grupi hetimor gjeti në rrugë, në afërsi të banesës, disa gëzhoja në dukje të vjetra, të cilat u sekuestruan dhe administruan në cilësinë e provës materiale.”