
Ish-shefi i Mossadit, Yossi Cohen, tha se synon të bëhet kryeministër i Izraelit, duke i thënë një podcasti këtë javë se “publiku po më shtyn fort” dhe se një ndryshim i vërtetë në udhëheqje kërkon që ai të bëjë një hap përpara.
“Për të bërë një ndryshim të vërtetë, duhet të jem kryeministër”, i tha Cohen gazetares Yasmin Lukatz në podcastin e saj. Ai argumentoi se puna e kryeministrit duhet të shihet si një pozicion udhëheqës dhe jo si një rol thjesht politik.
“Produkti i udhëheqjes që do përpiqem të shes ka të bëjë me drejtimin. Kur të ketë një datë zgjedhjesh, do eshqyrtoj nëse do kandidoj”, tha ai.
Cohen shtoi se pikëpamjet e familjes së tij kanë ndryshuar për këtë çështje.
“Në të kaluarën, familja ime më thoshte ta shmangia”, tha ai.
“Sot, familja thotë në shumë mënyra: “Është e paracaktuar për ty, nuk ke zgjidhje tjetër’”.

Cohen, 62 vjeç, shërbeu si shef i Mossadit nga viti 2016 deri në vitin 2021 pas një karriere 38-vjeçare në shërbimin e inteligjencës. Gjatë ceremonisë së tij të lamtumirës në qershor 2021, ai theksoi sukseset e agjencisë gjatë mandatit të tij, duke përfshirë operacionet që synonin Iranin.
“Ne depërtuam në zemër të armikut iranian”, tha ai në atë kohë, duke përmendur operacionin e Mossadit në vitin 2018 për të sekuestruar arkivin bërthamor të Iranit, të cilin Izraeli e paraqiti si provë të ambicieve bërthamore ushtarake të Teheranit.
Gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, Cohen është parë gjerësisht si një trashëgimtar i mundshëm politik i kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe madje është konsideruar si një udhëheqës i ardhshëm i partisë Likud të Netanyahut. Por ai u tërhoq nga vëmendja pas sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe luftës së vijueshme në Gaza, duke zgjedhur të mos shpallë planet politike ndërsa nuk kishte zgjedhje në horizont.
Vërejtjet e Cohen shënojnë sinjalin më të qartë deri tani se ai po pozicionohet për një rol politik. Megjithatë, ai nuk bëri një deklaratë të plotë, duke thënë se vendimi i tij do varet nga koha e votimit të ardhshëm kombëtar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani