
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku për keqpërdorim të administratës publike gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Në një postim në Facebook, Bardhi tha se Balluku ka ngritur në qarkun e Fierit një “rrjet kriminal patronazhimi”, duke përdorur qindra punonjës të shtetit për të ndikuar te votuesit.
“Në deklaratën e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake të Misionit të OSBE-ODIHR evidentohet se përdorimi i rrjetit të patronazhimit bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Por, në qarkun e Fierit, Belinda Balluku nuk pyet as për standardet ndërkombëtare e as për ligjin”, shkruan Bardhi.
Ai pretendon se vetëm në një rajon të qytetit të Fierit, janë angazhuar 430 punonjës të administratës publike në favor të partisë në pushtet.
“Vetëm për një rajon në qytetin e Fierit përdori si ‘terroristë’ elektoral plot 430 punonjës të administratës publike, që kishin përgjegjësinë të gjurmonin jetën e qytetarëve, të ofronin favore shtetërore në këmbim të votës apo të intimidonin qytetarët me keqpërdorimin e forcës së shtetit”, theksoi ai.
Sipas Bardhit, detyra e tyre ishte “të mblidhnin vota për partinë në pushtet duke keqpërdorur funksionin publik”, duke e cilësuar këtë si një krim elektoral të mbetur pa ndëshkim.
“Përdorimi i administratës shtetërore në zgjedhje është krim elektoral, por që mbetet i pandëshkuar sepse Task Forca PP-SPAK-KQZ ishte alibia e pushtetit dhe jo mekanizmi për të garantuar zbatimin e ligjit”, përfundon Bardhi në reagimin e tij.