
Mbi 236 mijë nxënës të arsimit bazë në të gjithë vendin do të pajisen me libra shkollorë falas për vitin e ri shkollor 2025-2026, një program i financuar nga qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Ministrja Ogerta Manastirliu e bëri këtë njoftim nga shkolla “Lidhja e Prizrenit”, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për barazinë në arsim dhe lehtësimin e barrës ekonomike për familjet.
“Programi i qeverisë për shpërndarjen e teksteve shkollore falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin ka nisur ditën e sotme dhe është një mbështetje për të garantuar jo vetëm barazi në arsim, por gjithashtu edhe një lehtësi për familjet”, deklaroi Manastirliu.
Sipas saj, qeveria ka vënë në dispozicion rreth 9 milionë euro për këtë program, duke siguruar që nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën të pajisen me librat falas. “Gjithashtu, libra falas përfitojnë edhe nxënësit e gjimnazeve që janë pjesë e kategorive me vështirësi sociale dhe ekonomike”, shtoi ministrja.
Manastirliu njoftoi edhe disa risitë e këtij viti shkollor, duke përfshirë Konkursin Kombëtar të Teatrove për nxënësit e klasave të teta dhe të nënta, Festivalin Kombëtar të Shkencës për gjimnazet dhe vijimin e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta.
“Këto iniciativa synojnë jo vetëm rritjen e cilësisë në arsim, por edhe nxitjen e krijimtarisë, komunikimit dhe mendimit kritik tek nxënësit tanë”, u shpreh Manastirliu.