
Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur një sulm të ri ndaj dy rrjeteve kryesore televizive, ABC dhe NBC News, duke i akuzuar për mbulim “të njëanshëm” dhe “të rremë” të presidencës së tij dhe duke thënë se do të mbështeste revokimin e licencave të tyre nga Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC).
Në një postim të bërë vonë natën në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi: “Nëse është kështu, atëherë ata janë thjesht një krah i Partisë Demokrate dhe, sipas shumë njerëzve, duhet t’u hiqen licencat.”
Ai u ankua se rrjetet i kishin kushtuar “97%” të mbulimit me lajme negative, megjithëse nuk dha burimin e këtij numri.
Një studim i publikuar më herët nga organizata konservatore Media Research Center kishte treguar se 92% e mbulimit mediatik për 100 ditët e para të presidencës së tij ishte negativ, përcjell Foxnwes.
Trump tha se do të ishte “plotësisht pro” një mase të tillë, sepse sipas tij, ABC dhe NBC janë “aq të njëanshme dhe të pavërteta, një kërcënim i vërtetë për demokracinë tonë.” Në një tjetër postim, ai i quajti ato “FAKE NEWS” dhe “dy nga rrjetet më të këqija dhe më të njëanshme kudo në botë.”
Duke vënë në shënjestër tarifat e përdorimit të frekuencave, presidenti shtoi: “Ata duhet të humbasin licencat për mbulimin e padrejtë ndaj republikanëve dhe/ose konservatorëve. Por, të paktën, ata duhet të paguajnë shuma të mëdha për privilegjin e përdorimit të frekuencave më të vlefshme në çdo kohë! Gazetaria e korruptuar nuk duhet shpërblyer, duhet eliminuar!”
Trump ka pasur përplasje të vazhdueshme me mediat kryesore gjatë presidencës së tij.
Vitin e kaluar, ai arriti një marrëveshje për një padi për shpifje kundër ABC, duke pranuar një pagesë prej 15 milionë dollarësh. Para hyrjes në politikë, ai ishte gjithashtu i lidhur me NBC, ku drejtoi për vite me radhë emisionin e njohur The Apprentice.
Megjithatë, sipas ekspertëve ligjorë, një përpjekje për të hequr licencat e rrjeteve për shkak të mbulimit mediatik do të binte ndesh me mbrojtjet që garanton Amendamenti i Parë i Kushtetutës për lirinë e shtypit. Përpjekje të ngjashme në të kaluarën janë rrëzuar nga gjykatat.
ABC dhe NBC ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare për sulmet e fundit të presidentit. Ndërkohë, si rrjete kombëtare, ato nuk mbajnë licenca të drejtpërdrejta nga FCC për përmbajtjen e tyre të lajmeve, por programet e tyre shpërndahen përmes stacioneve lokale që licencohen dhe rregullohen nga FCC.