Vendosni fjalën kyçe....

Nisin homazhet në nderim të gazetarit Artur Zheji


Homazhet në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji, kanë nisur këtë të hënë në orën 10:00 në ambientet e Universitetit të Arteve.

Zheji, 64 vjeç, u nda nga jeta para dy ditësh në Sarandë, ku ndodhej për pushime me familjen. Ai njihej si një nga figurat më të spikatura të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare.

Shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj kujtoi gazetarin  duke theksuar stilin e tij të veçantë dhe elegancën në analizën politike. Ai vlerësoi ndikimin e Zhejit në debatin publik dhe kulturor, si dhe aftësinë e tij për të komunikuar thellësisht pa goditur.

“Ditë e trishtuar për gazetarinë, publicistikën, miqtë e Turit. Kam pasur fatin ta njoh herët dhe të punoj me të në disa media të shkëmbej mendime herë pa shere, për artin, kulturën, letërsinë, historinë. Ishte një intelektual me interesa shumë të gjëra, tani doja të nënvizoja një gjë që ka të bëjë me Turin. Ai themeloi elegancën në analizën politike, kishte një bazament kulturor që jo shumë gazetarë e kanë dhe kjo e ndihmoi të krijonte stilin e vet autentik që bashkon thellësinë dhe elegancën, ai nuk linte asgjë pa thënë, por i thoshte në mënyrë të tillë që mos të ishin vrastare, të ishin ndikuese ,por jo vrastare, jo goditëse”, tha Zogaj.

Regjisori Kiço Londo kujtoi figurën e tij me mesazhe të thella emocionale. Londo vlerësoi talentin dhe thellësinë e mendimit të Zhejit, duke e përshkruar humbjen e tij si një dritë që do të ndikojë në të ardhmen e të tjerëve.

“Vijmë nga një ajër, nga krahinë, nga një fshat, nga një gjak. Vijmë nga i njëjti kurs, në këtë shkollë të mrekullueshme edhe sot është një ditë e thellë zie. Është një ditë ku të gjithë duhet të qajmë për dritën që humbëm, për thellësinë e mendimit që humbëm, për Artur Zhejin që jo vetëm që vinte nga një gjen gjeniu, por kishte edhe një damar të fortë gjeniu në vetvete. Dritë e trishtë që humbëm, por dita që Arturi po lë pas shprehej të na ndihmojë të bëhemi më të mirë”, tha Kiço Londo. 

Ish-ministri Paskal Milo kujtoi njohjen dhe bashkëpunimin e gjatë me Artur Zhejin, duke e vlerësuar si një nga gazetarët më të shquar të publicistikës shqiptare. Ai theksoi stilin e veçantë të Zhejit dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për çështjet kombëtare, veçanërisht për Kosovën.

“Me Zhejin kam rreth 27 vjet që jam njohur, më ka marrë intervistë e parë në gazetar në romë, ku unë isha ministër i jashtëm dhe ai punonte për radion Radicale.

Që aty vendosëm bashkëpunim miqësor që vazhdoi gjatë gjithë periudhës si ministër i jashtëm, por në mënyrë të veçantë pas vitit 2002 kur ai u përfshi në mënyrë aktive në median shqiptare si drejtues i disa programeve të rëndësishme në kanale të ndryshme shqiptare, për të arritur atë që sot opinion publik e nderon, në majat e publicistikës shqiptare.

Me një stil të veçantë, fjalor tejet të përpunuar, ndërthurej mes një gazetarie ekspresive por edhe mendimi të thellë filozofik, Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për Kosovën”, tha Milo.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është bashkuar homazheve në nder të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji, të mbajtura në Universitetin e Arteve të Bukura.

 Ai e vlerësoi Zhejin si një personalitet të veçantë të gazetarisë, me një stil civil dhe të respektueshëm në analizat dhe publicistikën e tij.

“Erdha të shpreh ngushëllimet më të ndjera për Artur Zhejin, një personalitet i mirënjohur i gazetarisë me një eksperiencë të gjatë në analizë, publicistikë e botime.

Artur Zheji ishte një zë më vete me analizat e tij, dhe edhe nëse nuk ishe dakord me pikëpamjet, mënyra e servirjes civile dhe e shtruar e mbrojtjes që ai bënte, të impononte respekt,” u shpreh Berisha.