Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet shoferi 23-vjeçar pas aksidentit që la dy motra të vdekura në Sarandë


Dy motrat Ela dhe Rozina Dhimaku humbën jetën mbrëmjen e së dielës në një aksident në aksin Sarandë–Delvinë. Policia arrestoi shoferin 23-vjeçar qe drejtonte automjetin tip “Audi”, Kevi Norra, i cili rezultoi i dehur në momentin e përplasjes.

Në familjen e viktimave ka mbetur vetëm një vëlla 10-vjeçar që vuan nga leuçemia.

Ndërkohë, pasagjerja Antonela Zhupa ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas trajtimit në Spitalin e Traumës. 

“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe.

Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.