
IDF-ja nisi sulme ajrore ndaj objektivave në Jemen të dielën, menjëherë pasi konfirmoi se një raketë e lëshuar nga rebelët Houthi të premten drejt Izraelit qendror mbante një raketë me kokë plasëse të ndaluar ndërkombëtarisht.
IDF tha se goditi infrastrukturën ushtarake të regjimit Houthi në zonën e kryeqytetit Sanaa, duke synuar një bazë ushtarake që strehon pallatin presidencial, termocentralet Hizaz dhe Asar dhe një depo për ruajtjen e karburantit.
Sipas ushtrisë, këto objekte janë përdorur për operacionet e rebelëve Houthi, duke përfshirë lëshimin e raketave dhe dronëve drejt Izraelit ditët e fundit. Sulmi ndaj termocentraleve, shtoi IDF, dëmtoi prodhimin e energjisë elektrike që mbështeste veprimtarinë ushtarake, duke treguar se si rebelët Houthi përdorin infrastrukturën civile për qëllime lufte.
Ushtria tha se rebelwt Houthit veprojnë nën drejtimin dhe financimin iranian, duke përdorur si baza tokësore ashtu edhe detare për të sulmuar Izraelin dhe për të kërcënuar rrugët globale të transportit detar. Ajo u zotua të vijojë të godasë objektivat Houthi në përgjigje të sulmeve të vijueshme, duke theksuar angazhimin e saj për të eliminuar çdo kërcënim për civilët izraelitë kudo që të jetë e nevojshme.

Sulmi me raketa i së premtes në mbrëmje shënon përdorimin e parë të njohur të municioneve thërrmuese nga Huothit e mbështetur nga Irani kundër territorit izraelit. Sipas një hetimi paraprak nga Forcat Ajrore Izraelite, raketa e lëshuar nga Jemeni të premten në mbrëmje mbante një kokë rakete thërmuese. Sulmi, i cili goditi një shtëpi në komunitetin e Ginaton në Izraelin qendror, nuk shkaktoi lëndime. Një grua 85-vjeçare brenda shtëpisë mbeti e padëmtuar pasi u strehua në një dhomë të fortifikuar.
Menjëherë pasi gjetjet e hetimit u bënë publike, Izraeli filloi të godiste një sërë objektivash në Jemen. Sipas raporteve të mediave arabe, sulmet izraelite goditën bazat e raketave në zonën përreth kryeqytetit të Jemenit, Sanaa, si dhe në afërsi të pallatit presidencial.
Media e lidhur me Hezbollahun, Al Mayadeen, raportoi tre sulme ajrore në Sanaa jugperëndimore, ndërsa Reuters citoi dëshmitarë okularë që thanë se bazat e raketave ishin midis objektivave. Zyrtarët izraelitë të mbrojtjes i kanë thënë Ynet gjatë fundjavës se po hetonin nëse raketa e përdorur përmbante përbërës thërrmues, të ngjashëm me ato që besohet se janë përdorur nga Irani gjatë luftës 12-ditore në qershor.

Municionet thërrmuese shpërndajnë eksplozivë më të vegjël në një zonë të gjerë dhe mund të paraqesin rreziqe afatgjata, veçanërisht nëse municione të pashpërthyera mbeten në tokë. Gjatë luftës me Iranin, Komanda e Frontit të Brendshëm i paralajmëroi civilët të shmangnin prekjen e objekteve të dyshimta dhe të telefononin menjëherë shërbimet e emergjencës.
Pas sulmit të së premtes, zëdhënësi Houthi-ve, Nasruddin Amer, publikoi një video, autenticiteti i së cilës nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur, duke treguar atë që ai pretendonte se ishte raketa që po shpërbëhej në mes të fluturimit. Ai tha se pamjet filmike hidhnin poshtë pretendimet izraelite për një kapje të suksesshme në ajër të raketës.
Një burim sigurie jemenas i lidhur me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht me seli në Aden gjithashtu konfirmoi për Ynet se raketa ishte një armë e tipit thërmuese e lëshuar nga Houthitë nga provinca Saada.
Zëdhënësi ushtarak i Huthisë, Yahya Saree, më vonë mori përgjegjësinë për sulmin, duke e përshkruar armën e përdorur si një raketë balistike hipersonike të quajtur “Palestina 2”, dhe tha se ajo kishte qenë e drejtuar në “Aeroportin Ben Gurion”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani