
Rusia ka akuzuar Ukrainën për një seri sulmesh me dron gjatë natës që, sipas saj, kanë shkaktuar një zjarr në termocentralin bërthamor të Kurskut në perëndim të vendit, ndërsa në Ukrainë u zhvilluan ceremonitë për Ditën e Pavarësisë.
Autoritetet ruse thanë se sulmi dëmtoi një transformator, por niveli i rrezatimit mbetet normal. “Zjarri u shua shpejt dhe nuk ka raportime për të plagosur”, njoftoi shërbimi i centralit në kanalin Telegram.
Një tjetër zjarr shpërtheu në portin e Ust-Lugës, në rajonin e Leningradit, ku ndodhet një terminal i madh për eksportin e karburanteve.
Guvernatori i rajonit tha se rreth 10 dronë ukrainas u rrëzuan, por mbetjet e tyre ndezën flakët. Ukraina nuk ka komentuar ende mbi këto akuza, sipas BBC.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka përsëritur thirrjen ndaj Moskës dhe Kievit për të treguar “përmbajtje maksimale” pranë impianteve bërthamore gjatë luftës.
Mesazhe mbështetjeje për Ukrainën në Ditën e Pavarësisë
Ndërkohë, Ukraina kremtoi të dielën Ditën e Pavarësisë, duke shënuar 34 vjet nga shpallja e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, mbërriti në Kiev për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky.
Shefi i kabinetit të Zelenskyt, Andriy Yermak, shkroi në Telegram: “Në këtë ditë të veçantë, është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne të ndjejmë mbështetjen e miqve tanë. Dhe Kanadaja ka qenë gjithmonë pranë nesh.”
Mbretëresha britanike Charles dërgoi një letër urimi për popullin ukrainas, ku shkruante: “Kam ndier gjithnjë admirim për shpirtin e pathyeshëm të popullit ukrainas. Shpresoj që vendet tona të mund të punojnë më afër për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Zelensky e quajti këtë mesazh “një frymëzim të vërtetë për njerëzit tanë në këtë kohë të vështirë lufte”.
Në Londër, qeveria britanike njoftoi se flamuri ukrainas do të ngrihet mbi Downing Street në nder të përvjetorit dhe konfirmoi zgjatjen e operacionit “Interflex” deri në fund të vitit 2026, duke vazhduar trajnimin e ushtarëve ukrainas.
Norvegjia po ashtu njoftoi një ndihmë prej 7 miliardë koronash (rreth 693 milionë dollarë) për sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, në bashkëpunim me Gjermaninë.
“Së bashku me Gjermaninë, po sigurojmë që Ukraina të marrë sisteme të fuqishme të mbrojtjes ajrore”, tha kryeministri Jonas Gahr Store.
Lëvizjet në front dhe diplomacia
Ndërkohë, Rusia tha të shtunën se forcat e saj kanë marrë nën kontroll dy fshatra në rajonin e Donetskut, duke rritur territorin që mban në Ukrainë në rreth 20%.
Diplomacia për paqen mbetet e bllokuar, pavarësisht samitit të mbajtur më 15 gusht në Alaskë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, i cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt paqes.
Megjithatë, Trump shfaqi zhgënjim për mungesën e një marrëveshjeje. “Do të marr një vendim se çfarë do të bëjmë: sanksione masive, tarifa masive, ose asgjë dhe t’u themi se kjo është beteja juaj,” deklaroi ai të premten.
Nga ana tjetër, Zelensky ka kërkuar një armëpushim të pakushtëzuar dhe ka akuzuar Moskën për bllokimin e bisedimeve.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Putin është i gatshëm të takohet me Zelenskyn “kur të ketë një agjendë për një samit, dhe aktualisht kjo agjendë nuk ekziston”, duke akuzuar presidentin ukrainas se po “refuzon gjithçka”.