
Paneli Zgjedhor në Kosovë i ka kërkuar Komisionit Qendror të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Vendimi vjen pak ditë pasi KQZ-ja vendosi moscertifikimin e Listës Serbe me dy anëtarët e saj që argumentuan se kandidatët e saj mbanin pozicione drejtuese në institucionet paralele serbe.
Paneli thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka të drejtë të refuzojë ose të mos certifikojë në mënyrë arbitrare, pa shpjegime, një subjekt politik ose kandidat.
Sipas PZAP-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shkelur Nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës, shkruan Koha.
Vendimi i KQZ-së nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare. Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian në një reagim të përbashkët të premten e kanë cilësuar minim të parimeve të demokracisë pengimin e partive të komuniteteve pakicë nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Edhe Ambasada Amerikane ka kërkuar që asnjë partie të mos i mohohet pjesëmarrja në zgjedhje.
Lista Serbe është partia kryesore e serbëve të Kosovës. Ajo mban lidhje të forta me Serbinë, ndërkaq zyrtarë të saj që zgjidhen në institucione të Kosovës në shumë raste kanë mbajtur edhe funksione në institucionet paralele të Serbisë, që funksionojnë ilegalisht në Kosovë.
Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të organizuar në 2023-tën në Banjskë të Zveçanit, e në të cilin morën pjesë rreth 50 persona të armatosur. Pas sulmit, ai dha dorëheqje nga partia dhe ndodhet në Serbi.