
Administrata Trump planifikon të vërë në dispozicion rreth 20 ton plutonium të epokës së Luftës së Ftohtë nga kokat bërthamore të çmontuara për kompanitë e energjisë amerikane si një karburant i mundshëm për reaktorët, sipas një burimi të njohur me çështjen dhe një draft-memoje që përshkruan planin.
Plutoniumi më parë është shndërruar në karburant për reaktorët komercialë amerikanë vetëm në teste jetëshkurtra. Plani do ndiqte një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump në maj, i cili urdhëronte qeverinë të ndalonte pjesën më të madhe të programit të saj ekzistues për të holluar dhe asgjësuar plutoniumin e tepërt, dhe në vend të kësaj ta ofronte atë si karburant për teknologjitë e përparuara bërthamore, shkruan Reuters.
Departamenti i Energjisë planifikon të njoftojë në ditët në vijim se do kërkojë propozime nga industria, tha burimi që foli me kusht anonimiteti. Burimi paralajmëroi se, për shkak se plani është ende një draft, hollësitë e tij përfundimtare mund të ndryshojnë në varësi të diskutimeve të mëtejshme.
Plutoniumi do t’i ofrohet industrisë me pak ose aspak kosto – me një pengesë. Industria do jetë përgjegjëse për kostot e transportit, projektimit, ndërtimit dhe çmontimit të objekteve të autorizuara nga Departamenti i Energjisë për të ricikluar, përpunuar dhe prodhuar karburantin, tha memorandumi.
Detajet mbi vëllimin e plutoniumit, përgjegjësitë e industrisë në plan dhe koha e mundshme e një njoftimi nga SHBA-ja, nuk janë raportuar më parë. 20 tonelatat do nxirreshin nga një rezervë më e madhe prej 34 tonësh të plutoniumit të gradës së armëve, të cilën Shtetet e Bashkuara ishin zotuar më parë ta asgjësonin sipas një marrëveshjeje për mospërhapjen e asrmëve bërthamore me Rusinë në vitin 2000.
Departamenti i Energjisë nuk e konfirmoi ose mohoi raportimin e Reuters, duke thënë vetëm se departamenti po “vlerëson një sërë strategjish për të ndërtuar dhe forcuar zinxhirët e furnizimit vendas për karburant bërthamor, përfshirë plutoniumin”, sipas udhëzimeve të Trump.