Vendosni fjalën kyçe....

PD: Air Albania në krizë financiare, fshehja e bilanceve ngre dyshime për falimentim


Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë dhe kompaninë “Air Albania” për mungesë transparence dhe fshehje të bilanceve financiare, duke ngritur dyshime për një krizë të thellë.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi nga selia blu se kompania ajrore nuk ka publikuar pasqyrat financiare pas vitit të parë të operimit, duke i lënë qytetarët pa informacion mbi situatën reale të saj.

“Më 20 qershor, ‘Air Albania’ e shpallur nga kryeministri Edi Rama si ‘krenaria kombëtare’, njoftoi nisjen e fluturimeve direkte mes Tiranës dhe Lubjanës. Por vetëm dy muaj më pas, më 20 gusht, mediat sllovene informuan se kjo linjë u anulua për shkak të vështirësive financiare. Dhe kjo nuk është aspak çudi, pasi kompania nuk ka dorëzuar asnjë bilanc financiar pas vitit 2018,” u shpreh Vangjeli.

Sipas saj, mungojnë gjithashtu të dhëna mbi detyrime të papaguara dhe procedura gjyqësore ndaj kompanisë, gjë që ngre pikëpyetje mbi gjendjen e saj.

“Që prej vitit 2020, Air Albania ka lidhur marrëveshje për shërbime charter me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Qeveritare për udhëtimet e posaçme të Kryeministrit. Opozita ka kërkuar transparencë dhe komision hetimor për këto udhëtime, por mazhoranca e ka rrëzuar. Sot kërkojmë që Kryeministri dhe kompania të japin përgjigje: a po shkon drejt falimentimit ‘krenaria kombëtare’ për shkak të shpenzimeve të papërballueshme nga udhëtimet charter të Edi Ramës?”, theksoi zëdhënësja e PD-së.

Fjala e Genta Vangjelit:

“Më 20 Qershor Air Albania e shpallur nga KM Edi Rama si ‘krenaria kombëtare’ njoftoi nisjen e fluturimeve direkte mes Tiranës dhe Lubjanës, duke rilidhur Shqipërinë dhe Slloveninë pas disa vitesh.

Por dy muaj më pas, më 20 Gusht, mediat Sllovene informuan publikun se kompania i anuloi planet për këtë linjë për shkak të vështirësive financiare.

Dhe kjo nuk është aspak çudi. Air Albania, themeluar në vitin 2018 me 10% pronësi shtetërore përmes Albcontrol ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e saj për vitin e parë të operimit (2018), më pas asnjë publikim lidhur me pasqyrat financiare të kësaj shoqërie.

Mungojnë gjithashtu të dhëna për vendime gjyqësore dhe njoftime zyrtare nga përmbarues privatë për detyrimin miliona euro të Air Albania kundrejt palëve të treta.

Kjo fshehje ngre dyshime për krizën e thellë financiare të kompanisë.

Që prej 2020-s, Air Albania ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Qeveritare për ofrimin e shërbimit të fluturimeve të posaçme charter për KM e RSH.

Opozita ka kërkuar transparencë dhe një komision hetimor për udhëtimet e Kryeministrit me charter, por kjo u rrëzua nga mazhoranca.

Sot kërkojmë që Kryeministri dhe kompania të japin përgjigje: a po shkon drejt falimentimit ‘krenaria kombëtare’ për shkak të shpenzimeve të papërballueshme që vijnë nga udhëtimet charter të Edi Ramës?”.