
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se një oficer i tyre ka humbur jetën në Rripin e Gazës pas shpërthimit të një predhe izraelite gjatë një operacioni ushtarak në Khan Younis.
Sipas njoftimit zyrtar, toger Ori Gerlic, 20 vjeç, nga qyteti Meitar, komandant i togës në batalionin Shimshon të Brigadës Kfir, u vra pasi një predhë e IDF shpërtheu pranë tij gjatë një sulmi kundër një objekti të Hamasit.
Ushtria tha se rrethanat e incidentit janë në hetim, përcjell Ynet.
Gerlic është ushtari i parë izraelit që humb jetën në Gaza pas gati një muaji pa viktima në këtë front.
Vdekja e tij pason njoftimin e muajit të kaluar për rënien e kapiten Amir Saad nga Yanuh-Jat dhe rreshter Inon Nuriel nga Kiryat Tivon, të cilët humbën jetën kur një mjet i blinduar Namer u përfshi nga flakët pas një shpërthimi në Khan Younis.
Sipas IDF, militantët kishin tentuar të sulmonin edhe një automjet tjetër të blinduar ku ndodhej komandanti i njësisë së zbulimit të Brigadës Golani, por sulmi i dytë u shmang pas ndërhyrjes së trupave të shoqërimit që neutralizuan sulmuesin.
Të dhënat e ushtrisë izraelite tregojnë se që nga fillimi i luftës janë vrarë 899 ushtarë izraelitë, mes tyre 454 gjatë ofensivës tokësore në Gaza.
Po ashtu, 6.204 ushtarë janë plagosur, nga të cilët 2.876 gjatë operacioneve tokësore.
Aktualisht, 13 ushtarë ndodhen në gjendje kritike, 150 në gjendje mesatare dhe 3 në gjendje të lehtë. Ushtria shton se 74 ushtarë kanë humbur jetën në aksidente operacionale në Gaza që nga fillimi i konfliktit.
Krahas humbjes së fundit, IDF raportoi se më herët gjatë javës ka patur luftime të ashpra në Khan Younis, kur 15 militantë tentuan të depërtonin në një fortifikim izraelit në korridorin Magen Oz.
Sulmuesit dolën nga një tunel i inspektuar më parë nga forcat izraelite, duke i gjetur trupat brenda ndërtesës së blinduar. Në përleshje u plagosën tre ushtarë, një në gjendje të rëndë dhe dy të tjerë lehtë.
Beteja, që u zhvillua në tre lokacione dhe zgjati nga pesë deri në dhjetë minuta, përfundoi me tërheqjen e militantëve. Njësitë ndjekëse, të mbështetura nga dronë të drejtuar nga komandantët e batalioneve dhe kompanive, vranë rreth 10 militantë, përfshirë ekipe të mortajave që mbulonin sulmin.