
Aplikimet për azil në Gjermani kanë rënë ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, duke shënuar një ulje deri në 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga mediat gjermane.
Sipas gazetës Welt am Sonntag, në periudhën 1 janar – 30 qershor 2025 janë paraqitur gjithsej 65,495 kërkesa për azil, duke shënuar një rënie prej 43% krahasuar me vitin e kaluar, përcjell Euronews.
Ndërkohë, BILD raportoi për 61,300 aplikime të para për azil në të njëjtën periudhë.
Vetëm gjatë muajit qershor, numri i aplikimeve të reja ra nën 7,000 – një rënie prej 60% krahasuar me qershorin e vitit 2024 dhe 70% krahasuar me dy vite më parë. Ky është numri më i ulët mujor i regjistruar që nga marsi i vitit 2013.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt nga CSU, e cilësoi këtë zhvillim si dëshmi të suksesit të politikave të tij të emigracionit, të cilat janë parë nga shumëkush si të diskutueshme.
“Këto shifra tregojnë qartë se politika jonë e migracionit po jep rezultat. Ne kemi arritur të kontrollojmë flukset dhe të sigurojmë një proces më të drejtë dhe të rregullt për ata që kanë realisht nevojë për mbrojtje,” deklaroi Dobrindt.