![]()
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se do e dijë brenda dy javësh nëse mund të bëhet përparim drejt përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, ndërsa aludoi gjithashtu për sanksione të mundshme kundër Moskës.
Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump shprehu zhgënjim me sulmet e fundit ruse që dëmtuan një fabrikë amerikane që vepronte në Ukrainë, shkruan AA.
“Nuk jam i lumtur për këtë dhe nuk jam i lumtur për asgjë që ka të bëjë me atë luftë”, tha ai.
“Gjatë dy javëve të ardhshme, do zbulojmë se në cilin drejtim do të shkojë. Dhe më mirë të jem shumë i lumtur”.
I pyetur se çfarë do ndodhë brenda dy javësh, Trump tha: “Do marr një vendim se çfarë do bëjmë dhe do jetë shumë i rëndësishëm. Do vendos nëse do ketë sanksione të rënda, tarifa të rënda, ose të dyja bashkë, apo do them që nuk do bëjmë asgjë dhe se kjo është lufta e tyre?”
Kohët e fundit, Trump ka bërë përpjekje për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë. Ai zhvilloi disa raunde bisedimesh me të dyja palët, përfshirë një samit me presidentin rus Putin në Alaska më 15 gusht, dhe njoftoi përgatitjet për një takim midis presidentit ukrainas Zelenskyy dhe Putin.
Më herët të premten, ai shprehu optimizëm të kujdesshëm se të dyja palët mund të bashkohen përfundimisht.
“Do shohim nëse Putini dhe Zelensky do të punojnë së bashku”, u tha Trump gazetarëve në Uashington. “Ata janë si vaji dhe uthulla. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye të qarta, por do ta shohim.”