Vendosni fjalën kyçe....

Lista Serbe nuk certifikohet për zgjedhjet e 12 tetorit në Kosovë


Lista Serbe nuk është certifikuar për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë.

Vendimi është marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dy nga anëtarët e të cilit votuan kundër, dy pro ndërsa shtatë abstenuan, shkruan Koha.

Dy anëtarët që kundërshtuan certifikimin e Listës Serbe publikuan dokumente që tregonin se kandidatë të saj për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.

“Kemi një parti politike, që ka trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Përveç kësaj, ka elementë të tjerë, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme. Tash i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale. Në mesin e tyre ka edhe persona që në të vërtetë, në mënyrë subersive punojnë kundër Republikës së Kosovës. Ata mbajnë pozicione në organet e ashtuquajtura paralele të Serbisë. Dhe njëkohësisht mbajnë pozicione cilado qofshin ato në organet e Republikës së Kosovës”, tha anëtari i KQZ-së Sami Kurteshi fillimisht, teksa ka marrë shembull kandidatin e Listës Serbe për kryetar të Novobërdës, Sasha Millosheviq, që është edhe kryetar i komunës paralele të Gjilanit në autoritetet e Serbisë.

Kurteshi ka thënë se Millosheviqi është “kamxhiku i Radoiçiqit për Anamoravë”. Ai ka thënë se këta persona kanë cak minimin e Republikës dhe shkatërrimin e sovranitetit të Kosovës.

Pas Kurteshit, ka reaguar anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani. Ai ka thënë se informatat e tilla duhet t’i ofrohen KQZ-së në mënyrë institucionale përmes organeve të sigurisë. Ai ka bërë të ditur se PDK-ja ka vendosur të abstenojë në votim.

“Sa herë vjen koha e zgjedhjeve kjo përsëritet. Këto informata kisha pas dëshirë që t’i pranoj në mënyrë institucionale e jo që t’i shohim tash. Por sidoqoftë si përfaqësues i PDK-së, abstenojmë nga votimi për certifikimin e Listës Serbe duke i marrë parasysh këta kandidatë, por edhe të gjitha ato diskutimet. S’jemi për certifikim, por abstenojmë nga votimi derisa nuk ka veprime konkrete nga institucionet tjera të sigurisë që na tregojnë rrugën që duhet të ndiqet për këtë subjekt politik”, ka thënë ai.