Vendosni fjalën kyçe....

Vijon ngërçi politik në Kosovë, rrëzohen kandidaturat për kryetare të Haxhiut dhe Gërvallës


Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla kanë dështuar të zgjidhen kryeparlamentare në seancën e parë konstituive pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në të dy votimet, kandidatet morën nga 57 vota pro, 56 kundër e nga tri abstenime. Pas dështimit të tyre, seanca është shtyrë për 22 gusht.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje me propozimin e Donika Gërvallës, pas Albulena Haxhiut, qëllimshëm po “propozon figura që nuk votohen”.

Në seancën e parë konstituive pas Aktgjykimit të Kushteuteses, sipas Kadrijajt, gjithçka do të duhej të niste me kërkim falje për shkelje të Kushtetutës.

Ajo ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar që LVV-ja po vepron jashtëligjshëm.

“Kushtetuesja e konstatoi atë që e kemi thënë në vazhdimësi. Ata e kanë ditë që Haxhiu nuk ka votë, sërish e propozuan. Ne i kemi ofruar alternativat që nuk i kanë pranuar dhe qëllimshëm po propozojnë kandidatë që nuk e marrin shumicën e votave”, ka thënë ajo.