
Pas samitit në Alaskë me presidentin rus Vladimir Putin dhe takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe shtatë liderë europianë, presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur se hapi i ardhshëm në përpjekjet për paqe do të jetë një takim ballë për ballë mes Zelenskyt dhe Putinit. Pas këtij takimi, ai ka paralajmëruar një takim trepalësh, ku do të marrë pjesë edhe vetë, përcjell Fox News.
“Isha shumë i suksesshëm si në takimin me presidentin Putin, ashtu edhe me presidentin Zelensky. Dhe tani mendova se do të ishte më mirë që ata të takoheshin pa mua, vetëm për të parë se si shkojnë gjërat,” u shpreh Trump në një intervistë për radion e konservatorit Mark Levine.
Trump shtoi se marrëdhëniet mes dy liderëve kanë qenë të vështira dhe të tensionuara: “Kishin një marrëdhënie të keqe, shumë të keqe. Tani do të shohim se si do të shkojnë. Nëse është e nevojshme, dhe ndoshta do të jetë, unë do të bashkohem dhe ndoshta do të mund ta mbyllim procesin.”
Presidenti amerikan theksoi se përgatitjet për këtë takim mes Zelenskyt dhe Putinit janë në proces, ndërsa ai do të vendosë më pas për përfshirjen e tij në fazën finale të negociatave.