
Sistemi i ri i menaxhimit të çështjeve gjyqësore do të ndërtohet për 9.24 milionë euro. Të paktën kjo është oferta e shpallur fituese nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për kontratën “Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS)”.
Sipas shpalljes së bërë këtë të mërkurë në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, kompania fituese është KREATX. Procedura në fjalë u çel në shkurt të këtij viti dhe synon të unifikojë në një të vetëm dy sisteme të ndryshëm.
Në dokumente thuhet se që nga viti 2005, në gjykatat shqiptare funksionojnë dy sisteme të ndryshme elektronike të menaxhimit të çështjeve (ArklT dhe ICMIS).
Aktualisht rezulton se nga 38 gjykata në territorin shqiptar, 36 prej tyre përdorin sistemin ICMIS. Ndërsa vetëm dy gjykata, përkatësisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përdorin sistemin ArklT.
“Të dy programet kompjuterike nuk bazohen në proceset e biznesit dhe për shumicën e konfigurimeve ose ndryshimeve në ndërfaqe dhe funksionalitet, ato duhet të programohen dhe kodi duhet të shkruhet nga zhvilluesit e softuerit. Arkitektura aktuale nuk është e centralizuar dhe secila prej gjykatave ka një instalim lokal në infrastrukturën e tyre. Të dy programet janë të bazuara në ëeb dhe aksesohen nga brenda rrjetit të secilës gjykatë. Bazat e tyre të të dhënave, që janë lokale për secilën nga gjykatat, replikohen çdo ditë në një server qendror” – thuhet në dokument.
Programet, edhe pse të përmirësuara dhe të mirëmbajtura, sërish kanë kufizimet e tyre, ndërkohë që arkitektura që kanë nuk lejon dixhitalizimin e mëtejshëm të proceseve të punës që zhvillojnë gjykatat në vend.
“Vlen të theksohet se programet aktuale në përdorim nuk ofrojnë mundësinë për një sistem, ku të mundësohet ndërveprimi në mënyrë të unifikuar i sistemeve të tjerë, si dhe i gjithë aktorëve të jashtëm të sistemit të drejtësisë, që janë të domosdoshëm në statusin ekzistues të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, është shumë e kufizuar mundësia për të krijuar dhe gjeneruar raporte statistike të integruara e të unifikuara mbi volumin dhe efikasitetin e funksionimit të gjykatave nga sistemi aktual” – theksohet në dokument.
KLGJ vlerëson se sistemi i ri i menaxhimit të çështjeve gjyqësore ICMIS do të jetë një zgjidhje dhe sistem që do të integrohet me të gjitha institucionet e drejtësisë, jo vetëm për gjykatat, si dhe do të aksesohet direkt ose nëpërmjet ndërveprimit nga palët/individët e autorizuar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor