
Shkencëtarët për herë të parë kanë arritur të vëzhgojnë nga afër brendësinë e një ylli në momentin që po shpërthente, duke ofruar një panoramë të rrallë mbi evolucionin yjor.
Yjet mund të jetojnë nga miliona deri në triliona vjet, derisa t’u mbarojë karburanti.
Yjet më masivë përfundojnë me një shpërthim gjigant të quajtur supernova.
Me ndihmën e teleskopëve që shohin thellë në hapësirë, astronomët kanë arritur të vëzhgojnë shumë nga këto shpërthime.
Por zakonisht shpërthimet kozmike trazojnë shtresat e yllit në vdekje, duke e bërë të vështirë dallimin e strukturës së brendshme.
Ky nuk ishte rasti me supernovën e zbuluar rishtas, të quajtur 2021yfj, e cila ndodhet në galaktikën tonë, Rruga e Qumështit.
Shtresat e jashtme të hidrogjenit dhe heliumit të këtij ylli ishin zhdukur shumë kohë më parë, çka nuk ishte e pazakontë.
Por, për herë të parë, shkencëtarët panë se edhe shtresat e dendura të brendshme, të përbëra nga silici dhe squfuri, ishin zhveshur gjatë shpërthimit.
“Ne nuk kemi vëzhguar kurrë më parë një yll që të ishte zhveshur deri në këtë masë,” tha Steve Schulze nga Universiteti Northwestern, pjesë e ekipit që raportoi zbulimin në revistën Nature të mërkurën, përcjell AP.
Ky zbulim mbështet teoritë që shkencëtarët kanë për mënyrën se si yjet masivë duken në fund të jetës së tyre: të organizuar në shtresa, me elementët më të lehtë në sipërfaqe dhe më të rëndët afër bërthamës.
“Fakti që kaq shumë shtresa ishin zhdukur nga ky yll, në thelb na konfirmoi se cilat ishin këto shtresa,” shpjegoi Anya Nugent, studiuese e supernovave në Qendrën Harvard-Smithsonian për Astrofizikë, e cila nuk ishte pjesë e hulumtimit.
Ende nuk dihet se si ylli humbi kaq shumë nga shtresat e tij, nëse ato u flakën dhunshëm në fazat e fundit të jetës ose iu hoqën nga një yll binjak.
Studiuesit thonë se kërkimet e ardhshme mund të japin të dhëna, megjithëse e pranojnë se një fenomen i tillë është shumë i rrallë për t’u kapur sërish.