
Një ushtar izraelit mbeti në gjendje kritike dhe dy të tjerë u plagosën lehtë të mërkurën në mëngjes, pas një sulmi të papritur të armatosur ndaj një poste të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) përgjatë rrugës Morag, në Khan Younis të Gazës jugore.
Sipas ushtrisë izraelite, 18 militantë, të pajisur me armë të lehta, RPG dhe jelekë antiplumb, dolën nga një tunel në orën 09:00 dhe hapën zjarr ndaj ushtarëve që ndodheshin në një pozicion të fortifikuar.
Forcat e Batalionit Nahshon të Brigadës Kfir iu kundërpërgjigjën, duke vrarë rreth 10 sulmues në luftime trup më trup, ndërsa të paktën 8 arritën të shpëtonin, raporton Ynet.
Më pas, tanke dhe avionë izraelitë u angazhuan për të goditur militantët në tërheqje.
Operacionet ajrore dhe kërkimet vazhduan me orë të tëra në zonë, me qëllim gjetjen e sulmuesve të mbetur.
Ushtria izraelite tha se nuk kishte prova që militantët tentuan të rrëmbenin ushtarë, por shtoi se një prej tyre kishte me vete një barelë, duke sugjeruar se një skenar i tillë mund të ketë qenë në plan.
Brigadat e Izz al-Din al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, morën përgjegjësinë për sulmin, duke deklaruar se luftëtarët e tyre kishin “sulmuar një postë izraelite në juglindje të Khan Younis, goditur tanke Merkava me eksplozivë dhe predha, dhe qëlluar ushtarë nga afër.” Grupi gjithashtu pretendoi se kishte sulmuar ndërtesa ku ndodheshin trupat izraelite dhe se luftëtarët e tij “u tërhoqën të sigurt” pas operacionit.
Ky sulm ndodhi gati një muaj pasi rreshteri Avraham Azulay, 25 vjeç, pjesëtar i komandës jugore, u vra në një sulm të kombinuar të Hamasit në Khan Younis, kur militantët hapën zjarr me RPG dhe më pas tentuan ta rrëmbenin duke dalë nga një tunel.
Rruga Morag, e hapur kohët e fundit nga Divizioni i 36-të i IDF-së, ndan Khan Younis nga Rafahu dhe është projektuar për të ndarë brigadat e Hamasit në zonë. Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i mbrojtjes Israel Katz e kanë përshkruar këtë korridor si një zonë kyçe sigurie brenda Gazës.